Policia në raportin e saj 24 orësh ka njoftuar, për të gjitha parregullësitë që kanë ndodhur gjatë ditës së diele në të gjtha qendrat e vendvotimeve në Kosovë.
Duke filluar prej qytetit të Kamenicës ku sipas policisë në këtë komunë janë arrestuar dy meshkuj pas dyshimit se të njëjtit kanë bërë blerje të votave nga qytetarët në këmbim të parave.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se të njëjtit në bashkë-veprim kanë bërë blerje të votave nga qytetarët në shpërblim të hollave . Me vendim të prokurorit dy të dushkuarit janë dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, bënë të ditur policia e Kosovës.
Po ashtu një arrestim po thuajse të ngjashëm e ka bërë të dielën policia edhe në Pejë, kjo pasi një mashkull kishte tentuar ta pengoj procesin e votimit në një vendvotim në Pejë dhe i njëjti kishte kanosur përgjegjësen e qendrës së votimit.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti në qendër të votimit ka penguar procesin e votimit si dhe kishte kanosur edhe përgjegjësin e qendrës së votimit viktimën femër kosovare. I njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet”.
Kurse në Vushtrri dikush kishte dashur që të votojë me kartelë indentifikuese false. Pas intervenimit, policia kishte hasur te ky person edhe dy kartela identifikuese të tjera të cilat ishin në emer të personave të ndryshëm.
“ Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, në qendër të votimit ishte hasur me kartelë identifikuese e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Te i njëjti njësiti policor ka gjetur edhe sekuestruar edhe dy kartela identifikuese në emër të personave të ndryshëm. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, bënë të ditur policia e Kosovës. /Gazeta Enigma/.