Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se ka iniciuar dy debate parlamentare për rritjen e çmimeve dhe Ligjin e pagave.
Ky Grupi Parlamentar mbetet i shqetësuar me ngritjen enorme të çmimeve dhe jo stabilitetit ekonomik në vend, ku me ç’rast ka kërkuar nga qeveria të marrë masa urgjente.
Shefi i GP të AAK-së Besnik Tahiri në tryezën me temën “Ngritja enorme e çmimeve dhe jo stabiliteti ekonomik”, theksoi se për gjendjen e rëndë të krijuar pas rritjes së çmimeve, ky subjekt ka iniciuar dy debate parlamentare.
“Ne kemi ngritur dy debat parlamentare, debati i parë ka të bëjë me Ligjin e pagave, i cili është me rëndësi, pasi që edhe rritja e pagave e forcon konsumin dhe fuqinë blerëse. Po ashtu, edhe tema e rritjes së çmimeve të cilën deputeti Lekaj ka iniciuar një debat të tillë. Ne para se të shkojmë në seancë kemi dashur të kemi një bashkëbisedim me të gjithë hisedarët dhe janë të prekur drejtpërdrejt”, tha Tahiri.
Deputeti tjetër nga AAK-ja Pal Lekaj tha se rritja e çmimeve është bërë e papërballueshme për qytetarët. Përkundër rritjes së çmimeve, ai tha se në vend ka kohë që pagat dhe pensionet nuk janë ngritur.
“Kjo gjendje ka prekur dukshëm shumë sektor, dhe në mënyrë zinxhirore përmes rritjes së çmimeve të produkteve të importuara janë rritur, edhe shërbimet duke ndikuar drejtpërdrejt në sektorët e prodhimit, ndërtimit, shitjes dhe transportit. Qeveria duket se është zënë në befasi dhe nuk është treguar e shkathët që i përgjigjet me masat e duhura kësaj situate. Situata shkon edhe më keq kur rritja e çmimeve është paralajmëruar deri në janar të vitit 2022, ndërsa deri më tani kjo rritje e çmimeve sipas ekspertëve po shihet si e papërballueshme për qytetarët. Këto rritje nuk mund të mbulohemi me paga të tilla në nivel vendi, shto kësaj që ende jemi në kohë pandemie”, tha Lekaj.
Sakip Imeri nga Autoriteti i Konkurrencës tha se mandati i këtij autoriteti është të mbajë konkurrencën e lirë në treg, pra jo siç tha ai për ngritjen e çmimeve. Derisa për ngritjen e çmimeve, ai tha se kjo ka ardhur si rrjedhojë e importit mallrave.
“Shumica e ngritjes së çmimeve posaçërisht te sektori i shitjes me shumicë ka qenë i imponuar nga importuesit, sepse ekonomia e Kosovës është ekonomi që më shumë varet prej importit. Ndërsa, keqpërdorime ka pasur ndoshta edhe te bizneset e shitjes me pakicë që e kanë shfrytëzuar situatën”, tha ai.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani tha se është një lajm i mirë që në tregjet e ndërkombëtare ka filluar një rënie e lehtë e çmimeve të naftës, por ai ka akuzuar marketet e mëdha për abuzim me çmimet.
“E themi se është lajm i mirë që në tregjet botërore ka filluar të ketë një rënie të lehtë. Por, mua çka më brengosë dhe nuk pajtohem, kur shumë markete të mëdha e lidhin dhe thonë se është shtrenjtuar nafta. Kjo nuk është normale çka është duke u bërë. Marketet janë abuzuesit më të mëdhenj në Republikën e Kosovës. E kemi rastin konkret në vitin 2020, ku një litër naftë ka kushtuar 0.75 centë, por abuzimi nuk është ndalur. Atëherë s’kanë pasur arsye me thënë se nafta u shtrenjtua dhe çmimet po i rrisim. Ky është skandal. Prandaj, duhet të merren masa ndaj abuzuesve me çmimet në Kosovë”, tha Berjani.
Kritikat e kryetarit Berjani, i ka mbështetur edhe kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, I cili tha se këto biznese kanë abuzuar me çmime.
“Prodhimi dhe tregtimi shërbimeve të ushqimeve është sektori më I ngarkuar socio-ekonomik me problemet e çmimeve spekulative. E tha dikush se marketet janë abuzues, duke u nisur nga dualizmi i çmimeve të dyfishta, manipulimi i peshës, i vëllimit, manipulimi me afatin e skadencës, mashtrimet me emrat e brendeve. Kur të gjitha këto I marrim parasysh, përqindja e çmimeve është më e lartë dhe shkalla e inflacionit është më e lartë”, tha ai.
Në fund, shefi i GP të AAK-së Besnik Tahiri ka lexuar tetë rekomandime nga ky debat, ku njëra ndër to është mos shfrytëzimi i pandemisë për ngritjen e çmimeve nga bizneset dhe vazhdimi i zbatimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike. /Gazeta Enigma/.