Ish-deputeti i VV-së, i aderuar në AAK, Haki Abazi, ka deklaruar se objektivi kryesor i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti ka qenë kapja e Gjykatës Kushtetuese, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas Abazit, ekzekutivi ka tentuar që përmes armiqësimit të gjuhës me sistemin e drejtësisë të mos shihet tendenca për ta kapur atë.
“Taktikat për tentimin e armiqësimit të gjuhës nga ekzekutivi me sistemin e drejtësisë ka pasur qëllim dy gjëra, për të alarmuar qytetarët në përkrahje dhe përbrenda këtij alarmi të mos shihet tendenca për kapje të drejtësisë. E gjithë agjenda e proklamuar se do të bëjmë reformë në drejtësi, paraqitjen e ministres së Drejtësisë në formën histerike të komunikimit në Këshillin Prokurorial… dhe mos ta harrojmë tentimin për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, ky ka qenë caku i këtij ekzekutivi”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka adresuar kritika edhe për kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, për të cilin ka thënë se është kukull.
“Kur flasim për ekzekutiv dhe legjislacion, këtu ka vetëm një njeri të vetëm, Kuvendi nuk është funksional, kryetari i Kuvendit është kukull që vepron dhe lëvizë në bazë të urdhrave që i jep Kurti ose numri dy që është Dejona Mihali. Ky Kuvend ka qenë spektakël, ka shpenzu buxhet për punën që ka bërë, po funksionimi ka qenë plotësisht nën kontrollin e Kurtit. I njëjti qëllim ka qenë për Këshillin Prokurorial, policinë hetimore dhe Kushtetuesen, qoftë edhe me votat e Listës Serbe (siç janë dalë komunikimet)”, ka shtuar Abazi.