Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka vizituar sot kampin Bondsteel, ku ka biseduar me ushtarët britanikë nga Regjimenti Mbretëror i Princeshës së Uellsit, të cilët ndodheshin në Kosovë, siç tha ai, në një stërvitje të rregullt vjetore dhe që tani janë nën komandon e NATO-së.
Abbott saktësoi në Facebook se në ditët në vijim do t’u bashkohen edhe 200 ushtarë të tjerë nga forcat rezervë strategjike të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët po vijnë si përforcime për KFOR-in pas ngjarjeve në Banjskë.
“Kam vizituar kampin Bondsteel për të takuar ushtarë britanikë nga Regjimenti Mbretëror i Princeshës së Uellsit, të cilët ishin në Kosovë si pjesë e stërvitjes së rregullt vjetore. Ata tani janë nën komandën e NATO-s dhe do t’u bashkohen edhe 200 ushtarë të tjerë. Në një kohë të vështirë dhe shqetësuese për shumë njerëz në Kosovë, jam i kënaqur që Britania e Madhe vazhdon të japë një kontribut të fuqishëm në mandatin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë”, tha Abbott.