Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar për raportin e publikuar të enjten për çmimet e produkteve bazike ushqimore, duke thënë se Kosova po përballet me valën më të rëndë të çmimeve në historinë e saj.
Abdixhiku, përmes një statusi në Facebook thotë se kur çmimet po rriten, Qeveria po vazhdon të jetë vetëm spektatore.
“Përballë kësaj krize, Qeveria Kurti ka braktisur detyrat e saj. Në kulmin e rritjes, ajo vazhdon të jetë vetëm spektatore. Vështron krizat barabartë me secilin qytetar. Asnjë masë fiskale, asnjë politikë qeveritare, asnjë pako zhvillimore e ndërmarrë deri më tash. Paaftësia qeverisëse kushton. Paaftësia e kësaj Qeverie kushton shumë.
“Politika publike duhet të jetë e gjallë. Vizionet zhvillimore duhet të jenë të mëdha; të guximshme. Ngurtësimi në retorikë të thatë, herët apo vonë sjellë krizë. Dhe me çmime inflative si këto, ky vend veçse po futet në krizë”, shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook.