Abdixhiku e pret në takim ambasadorin gjerman, ja se për çfarë diskutuan ata

Abdixhiku e pret në takim ambasadorin gjerman, ja se për çfarë diskutuan ata

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, Këtë të hënë ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postimi në profilin e LDK-së në Facebook, kanë njoftuar se Abdixhiku në këtë takim ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë në situatën e krijuar nga ngërçi institucional.

Tutje ai ka theksuar domosdoshmërinë për formimin e institucioneve funksionale që i shërbejnë qytetarëve dhe ritheksoi nevojën për një zgjidhje të shpejtë politike për t’i formuar institucionet.

“Kryetari Abdixhiku theksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst ai foli për papërgjegjshmërinë e partisë së parë dhe mungesën e vullnetit politik, në mbajtjen peng të funksionalizimit të institucioneve të vendit. Kjo sjellje jo vetëm që dëmton besimin qytetar, por edhe cenon parimet themelore të demokracisë dhe respektimit të rendit kushtetues”, thuhet në një postim të kësaj partie në Facebook.

Gjatë takimit, Abdixhiku shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit demokratik të saj./Gazeta Enigma/

Related Articles