Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të tentoj t’i mbledhë 40 nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme, me qëllim të diskutimit së vendimit të fundit të ZRRE-së për çmimin e energjisë elektrike.
Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se pos seancës, do të kërkohet shkarkimi i bordit të ZRRE-së si dhe përgjegjësi nga institucionet e Qeverisë. Abdixhiku deklaroi se për bllokun e ri tarifor, Qeveria Kurti do përpiqet të mbledhë më shumë tatime në kohën kur sipas tij, qytetarët janë në krizë.
“Ky diferencim bëhet edhe më i rëndë kur nuk zbatohen masat në veri të vendit. Qeveria Kurti refuzon të heqë TVSH-në siç kanë vepruar 11 shtetet anëtare të BE-së, ai e rrit çmimin por edhe takson në anën tjetër. Qeveria po përpiqet të mbledhë më shumë tatime në këtë krizë”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.
Sipas deputetit të LDK-së, është paaftësi e Qeverisë rritja e energjisë elektrike për 100 për qind, për dallim nga shtetet e tjera evropiane që kanë pasur rritje vetëm 9 për qind.
“Reagimi i vonshëm po prodhon krizën më të rëndë në historinë e Republikës së Kosovës. Shtrenjtimi vjen kur qytetari po përballet me shumë kriza të tjera. Kjo barrë e re tregon për mungesë ndjeshmërie nga kryeministri Kurti për qytetarët. Ai që mendon se rryma është e lirë, nuk mund të jep zgjidhje të mirë. Kryeministri është shndërruar në kontabilist, në vitin e parë të qeverisjes po i jep çmimet për qytetarët”, tha tutje ai. / Gazeta Enigma.