Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji duhet të shkarkohet menjëherë, shkruan Gazeta Enigma.
Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK-ja do t’i nisë të gjitha procedurat e nevojshme nga e hëna për shkarkimin e bordit të ZRRE-së.
Sipas tij, shkarkimi i bordit është i paalternativë.
“Nga e hëna, LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim. Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë.
Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët të kompensohen menjëherë për muajt që kanë paguar me tarifat e shtrenjta.
“Nga sot, fatura tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%.
Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në një mbledhje të jashtëzakonshme që ka mbajtur dje, ka vendosur që ta shtyjë ekzekutimin e vendimit të datës 8 shkurt 2022 për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Ky vendim është marrë pasi që ZRRE ka pranuar vendimin e 18 majit të Gjykatës së Apelit, i cili vërteton aktvendimin paraprak të Gjykatës Themelore për këtë çështje.
“ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses. Si pasojë e gjendjes së krijuar, Bordi i ZRRE-së me datë 20 maj 2022, në Seancën e jashtëzakonshme, ka nxjerr vendim, me të cilin shtyhet ekzekutimi i Vendimit V_1489_2022 i datës 08.02.2022, sipas Aktvendimit AA.nr.364/2022 të Gjykatës së Apelit”.
Me 8 shkurt të këtij viti, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, kishte marrë vendim për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kË në muaj.
Me 11 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike, por vendimi nuk ishte përfillur nga ZRRE dhe çmimet e rritura, vazhdonin t’u faturoheshin qytetarëve.