I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaron se nuk mund të bëjnë opozitarizëm të fortë për aq kohë sa i kanë vetëm 14 deputetë, por se kur duhet edhe e bëjnë.
“Nuk e shoh opozitarizmin të izoluar vetëm në Kuvendin e Kosovës dhe aq më pak kur i kemi 14 deputetë, sepse është e pamundur të bësh opozitë kur një kundërshtar i ka 60 deputetë. Por, edhe me 14 deputetë shumë shpesh ne bëjmë opozitë të fortë, siç ishte debati sot për energji”.
Abdixhiku në KlanKosova, pa përmendur emra deklaroi se në opozitë ka persona përgjegjës për afera të rënda e për këtë nuk hyjnë në një thes me ta për opozitarizëm.
“Koordinimi opozitar sa i lehtë është aq edhe i pamundur ndonjëherë sepse çdo opozitë ka mënyrën e vet të bërjes politikë. Nuk mendoj se ne duhet të shihemi si bllok opozitë sepse s’ndiej se përfaqësojmë idetë e njëjta edhe me opozitën. Shumë anëtarë të opozitës i shoh edhe problematikë në shtrimin e argumenteve të reja”.
“Nuk dua të flas me emra tani, por ka njerëz që janë përgjegjës për afera shumë të rënda në Kosovë dhe nuk dua që LDK-ja të identifikohet me një ton. Madje, kur na thonë ‘ju opozita’ e flet dikush që me të vërtetë nuk ka aspak bindje të njëjta me ato që përfaqësojmë, nuk jemi në një thes me ta”.
“Nuk dua të ofendoj asnjë parti politike, por s’jemi në një thes, kemi trupa të ndryshme vendimmarrëse, kemi metodologji të ndryshme politike. Opozita nuk është bllok i të gjitha partive, pasi ka parti politike, me të cilat ne ndajmë ide të ndryshme opozitarizmi dhe nuk pajtohemi me mendimet e tyre. Rrallë, por ka shkuar mirë bashkëpunimi me partitë opozitare, siç duhet të ketë ide të ndryshme për çështje të caktuara”, deklaroi Abdixhiku.