Deri më 31 tetor, Qeveria në detyrë ka afat ligjor për ta proceduar në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2026, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas Ligjit për Ekzekutivin, qeveria në dorëheqje apo ajo në detyrë nuk ka të drejtë të sponsorizojë ligje, por kjo ndalesë nuk vlen për buxhetin, shkruan Gazeta Enigma.
Megjithatë, gjatë së martës, as Zyra e Kryeministrit dhe as Ministria e Financave nuk kanë bërë të ditur nëse buxheti do të dërgohet në Kuvend.
Sipas procedurave parlamentare, projektbuxheti duhet të shqyrtohet fillimisht nga disa komisione funksionale të Kuvendit – struktura këto që ende nuk janë formuar.
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit pritet të mblidhet sot, ku në rend dite do të jetë edhe diskutimi për themelimin e këtyre komisioneve.
Çfarë e pret Kosovën nëse nuk miratohet buxheti për vitin 2026?
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, deklaroi se mosmiratimi i buxhetit për vitin 2026 do të rezultojë me kolaps institucional.
“Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2026 ka pasoja rrjedhimore në aspektin ekonomik, pasi krijohet kolaps institucional, bllokim fiskal dhe mungesë besimi institucional. Si pasojë, mund të ndodhë mospagesa e pagave në sektorin publik, që përfshin rreth 84 mijë nëpunës publikë, përfshirë sektorin e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, ushtrisë, policisë, zjarrfikësve, si dhe të gjithë punëtorët e administratës publike,” u shpreh Bellaqa.
Sipas tij, situata të tilla krijojnë pasiguri edhe për investitorët e huaj dhe të brendshëm.
“Gjithashtu, nuk realizohen as financimet për projektet kapitale dhe infrastrukturore, as për mallra dhe shërbime. Po ashtu, nuk ekzekutohen kategoritë pensionale dhe ato me mbështetje sociale, si dhe pagesat ndaj komunave. Krijohet pasiguri edhe për investitorët e huaj dhe të brendshëm, nuk ka shpenzime publike e private, dhe ekonomia del nga shtrati i vet. Duhet konstatuar se projektbuxheti është dokumenti unik më i rëndësishëm i çdo qeverie dhe populli, sepse nga ai varet mirëqenia socio-ekonomike dhe rritja ekonomike,” tha Bellaqa.
Tutje, njohësi theksoi se çështje të tilla, si buxheti i shtetit, nuk duhet të politizohen.
“Besoj se kjo nuk duhet dhe nuk do të ndodhë, sepse ndikon negativisht në rritjen ekonomike dhe mirëqenien sociale. Buxhetin duhet ta përgatisë qeveria aktuale në detyrë dhe parlamenti duhet ta miratojë. Në të ardhmen, qeveria e re mund të bëjë rishikim buxhetor dhe të shtojë prioritetet nëse ka, por kjo çështje nuk duhet të politizohet,” përfundoi Bellaqa për Enigmën.
