Afati përfundon sot, a do të ketë nesër Qeveri të re?

Afati përfundon sot, a do të ketë nesër Qeveri të re?

Afatit të kushtetueses për formimin e Qeverisë i erdhi fundi, ndërsa ende nuk ka indikacione se mandatari për formimin e ekzekutivit të ri, Albin Kurti ka arritur t’i bind partitë për t’a siguruar shumicën e nevojshme, shkruan Gazeta Enigma.

Të shtunën është dita e fundit për të arritur ndonjë marrëveshje me subjektet politike për formimin e Qeverisë nga partia e parë, LVV.

Tutje, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të dielën në ora 10:00, ku pritet të votohet qeveria e re e Republikës së Kosovës.

Mandatari për formimin e qeverisë, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, aktualisht ka vetëm dy ditë kohë për të prezantuar përbërjen dhe programin e kabinetit para deputetëve.

Kujtojmë se Kurti është mandatuar nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e Qeverisë “Kurti 3”. Ai ka deklaruar se nëse nuk arrihet formimi i qeverisë, alternativa tjetër janë zgjedhjet e reja, duke theksuar se opozita nuk ka vullnet për ta bërë një qeveri të re.

Megjithatë, meqë LVV ka përjashtuar PDK-në nga bisedimet, opsionet për formimin e një qeverie janë të kufizuara, ndërsa më të hapur për bashkëpunim duket të jenë LDK-ja dhe disa parti më të vogla.

Kurti të martën ka bërë të ditur edhe propozimet për bashkëpunim me Fatmir Limajn dhe partinë NISMA.

“Me partinë GUXO, që i kanë gjashtë deputetë, jemi marrë vesh për dy ministra – Donika Gërvalla në Ministrinë e Jashtme dhe Faton Peci në atë të Bujqësisë. Tash, me NISMËN kam qenë i gatshëm t’ia jap një ministri, nënkryetarin e Kuvendit dhe dy zëvendësministra. Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj do të ishte bërë nënkryetar, për shkak të përfaqësimit gjinor dhe peshës elektorale”, tha Kurti.

Kurse, deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se pritjet janë që të dielën të votohet Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti, por ende mungojnë disa vota për shumicën e nevojshme parlamentare.

“Pritjet  janë që të kemi një qeveri nga mandatari e kryeministri aktual Kurti, e cila pritet t’i marrë të paktën 61 vota. Megjithatë në këtë moment edhe përderisa po flasim ende nuk kemi konfirmim zyrtar mbi koalicionet e mundshme duke marrë parasysh që numri i deputetëve në grupin tonë parlamentar është 48, 8 të tjerë janë nga komuniteti joshumicë dhe një është nga nënkryetari Rashiq, që prapë i bie që jemi afër 4-5 deputetë mangu për të pasur minimumin e shumicës që duhet pasur”, deklaroi deputetja.

Ndërsa, deputeti dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se nuk do të bëjë asnjë kompromis politik që të perceptohet si “shitje e votës” lidhur me formimin e Qeverisë Kurti III.

Ai shtoi se për LDK-në çështja është e mbyllur, duke përjashtuar çdo befasi në qëndrimin e partisë ndaj votimit të qeverisë së re.

“’Qeveri të elefantëve’ nuk ka. Me vetë faktin që kanë arrit me iu afru dhe plotësua kërkesa deputetëve të pakicave joserbe, sepse janë plotësuar kërkesat deri sot – atëherë nuk përjashtohet mundësia që me deputetë të partive tjera me bë qeverinë. Për LDK-në është çështje e mbyllur, mos pritni nuk ka befasi”, deklaroi Haziri.

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, ka deklaruar se ai dhe deputetët tjerë të AAK-së nuk kanë votë për Albin Kurtin për një mandat të ri në krye të Qeverisë.

Madje, ai potencoi se nuk do të kenë votë për të as në këmbim të postit të presidentit të vendit. Haradinaj më tej tha se kjo temë nuk është më as në tavolinë diskutimi.

“Nuk mundet me pas në këto rrethana votë për Albin Kurti, e kemi një bjeshkë në mes. Nuk kisha dashur ta komentoj fare. Nuk do të ketë votë. Nuk ka ndryshuar diçka që ne me ndryshu qëndrim. [Nëse ua ofron postin e presidentit?]. Faleminderit shumë, nuk ia japim votën, në këto rrethana. Nuk jemi të gatshëm dhe nuk është temë më në tavolinë presidenti”, tha Haradinaj.

Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u shpreh se në takimi i ka kërkuar Kurtit që t’i tregojë se çfarë konkretisht dëshiron, pasi siç tha nuk do të donte të shihte kryeministrin e vendit në siklet.

“I kam thënë zotëri Kurtit se çka po kërkon prej meje, a po i don numrat apo dëshiron partneritet, nëse i doni numrat unë e kam ndërmend me t’i dhënë numrat e me dal në parlament e me bë qeverinë e pakicës dhe arsyetimin tim e jap në Kuvend. Nuk dua që kryeministri i vendit tim kur e ka një siklet dhe situatë të tillë për numra, Kurti më ka thënë se nuk është i interesuar për numra por për partneritet. Unë mund me i shërbyer vendit tim veç nga partneriteti në Kuvend pasi ne nuk jemi të interesuar për qeveri në asnjë rrethanë. I kam arsyet e mija se pse dhe rrugës do të shihen veprimet se pse parnetitet në parlament”, potencoi Limaj.

Nëse deri më 26 tetor nuk ndodh formimi i Qeverisë nga partia e parë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia jap mundësinë partisë së dytë, që në këtë rast është PDK-ja, për ta provuar formimin e Qeverisë.

A pritet të ketë Qeveri të re?

Analisti politik Avni Arifi në një prononcim për Gazetën Enigma vlerësoi se LVV ende nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me partitë politike për formimin e Qeverisë.

“Është e vështirë të prognozohet diçka lidhur me Qeverinë ‘Kurti 3’, kur Vetëvendosje nuk ka bërë të ditur se ka siguruar shumicën e duhur parlamentare,” tha Arifi.

Sipas tij, në rast të mungesës së shumicës, vendi mund të shkojë në zgjedhje në fillim të dhjetorit.

“Nëse LVV nuk e ka këtë shumicë, atëherë duket se vendi do të ketë zgjedhje në fillim të dhjetorit,” përfundoi ai.

Opinionsti Agon Maliqi, ka vlerësuar se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk do të mund ta formojë Qeverinë e re.

Ai ka bërë me dije se në këtë situatë, zgjedhjet duken të pashmangshme.

“Me shumë gjasë kryeministri në detyrë nuk do ta arrijë formimin e shumicës. Pastaj pritjet janë që presidentja t’ia jap mundësinë partisë së dytë, në këtë rast PDK-së, për ta ndërtuar një shumicë”, ka thënë Maliqi për “Radion Evropa e Lirë”.

Sipas tij, alternativa më e mirë do të ishte një qeveri teknike.

“Nuk duket që ka disponim për një qeveri apo koalicion jetëshkurtër deri në prill. Por ndoshta partitë e ish-opozitës mund të pajtohen për mënyrën e shpërbërjes së Kuvendit – me një qeveri teknike tranzitore që do të miratonte disa ligje bazë, si buxhetin, para se të shkojmë në zgjedhje”, ka theksuar Maliqi.

Edhe analisti Azem Vllasi shprehet pesimist se do të ketë një Qeveri “Kurti 3”, sepse po t’i kishte numrat për formim, ajo do të ishte bërë shumë më herët.

“Nuk pres që të ketë Qeveri ‘Kurti 3’, sepse nëse do të donte ta formonte qeverinë bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo qeveri do të ishte formuar shumë më herët sipas atyre rezultateve. Është e qartë që nuk ka tjetër qeveri përveç një qeverie koalicioni, dhe për të duhet gjetur një partner koalicioni – por kjo nuk është dëshira e kryeministrit Kurti,” u shpreh Vllasi për Enigmën.

Gjithashtu, ai theksoi se “nëse me të vërtetë dëshiron ta formojë qeverinë, ajo mund të bëhet me një partner tjetër”.

“Zgjedhja më e mirë do të ishte menjëherë pas zgjedhjeve, si koalicioni më i natyrshëm do të ishte VV-ja me LDK-në, sepse LDK-ja është një parti më e moderuar”.

Më tej, Vllasi tha se ka mungesë të vullnetit nga akterët politikë për formimin e Qeverisë.

“Mungesa e vullnetit për një qeveri me koalicion më bën të mendoj që nuk do të formohet qeveria. Kurti e sheh që mund të qeverisë dhe kështu do të vazhdojë derisa të mundet,” përfundoi ai./ Gazeta Enigma/

Related Articles