Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), teksa 5 vite më vonë, fundi këtij gjykimi duket se po afron, shkruan “Gazeta Enigma”.
Mesi i nëntorit është caktuar si afat për avokatët e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, për ta përfunduar rastin e tyre, ndërsa fundi përfundimisht i këtij shqyrtimi, pritet në fund të këtij viti. Vendimi, në fillimin e vitit të ardhshëm.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
LEXO EDHE: Në fund të dhjetorit pritet përfundimi i gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.
Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.
LEXO EDHE: Behrami reagon pasi Specialja ia ndaloi vizitat te Thaçi: Nuk do të mund ta shkëpusni nga populli
Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, që nisi në prillin e vitit 2023, përfundimin pritet ta ketë më së largu më 22 dhjetor.
Kjo është data që Trupi Gjykues e ka dhënë si afat për palët të dorëzojnë shkresat përfundimtare në gjykimin ndaj ish-krerëve të luftës.
Një varg shkeljesh
Avokati Ardian Bajraktari tha për Gazetën “Enigma” se procesi i gjykimit të ish-krerëve është cilësuar me një varg shkeljesh.
“Filluan nga mungesa e transparencës, përkatësisht është cenuar tej mase njëri nga parimet bazë të procedurës, siç është parimi i publicitetit, pastaj procesi është i stërzgjatur, me çka është cenuar po ashtu një parim dhe rregull ai i gjykimit brenda një kohe të arsyeshme, ka pasur në jo pak raste trajtim të pabarabartë të palëve në procedurë, përfshirë edhe faktin që kemi pasur pranim të provave nga një regjim gjenocidal, e që bijën ndesh me vet dispozitat e Rregullores së procedurës dhe provave të Dhomave të Specializuara”, tha ai.
Ai tha se tani pasi procesi po shkon drejt përfundimit, roli i palës mbrojtëse është shumë i rëndësishëm.
“Tashmë procesi po shkon drejt fundit, ku roli i palës mbrojtëse është tejet i rëndësishëm, lista e dëshmitarëve që është thënë se do të dëshmojnë në këtë proces, janë shumë kretibil, dhe besoj se do të ndikojnë shumë që të konstatohet e vërteta, e ajo tashmë është e ditur, se UÇK-ja nuk ka kryer krime, se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë dhe hierarki të mirëfilltë komanduese”, shtoi ai.
“Nëse ka drejtësi dhe vendim të drejtë, me aq sa kemi parë, vendimi duhet të jetë lirues për ish krerët e UÇK-së”, përfundoi Bajraktari.
Ish krerët e UÇK-së me kritika për Specialen
“Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe mbetet një ndër sfidat më të mëdha për drejtësinë ndërkombëtare dhe për vetë historinë e luftës sonë çlirimtare”.
Kështu u shpreh në një prononcim për Gazetën “Enigma” ish-komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha.
Ish-deputeti i PDK-së tha se gjykimi ndaj krerëve ka ngjallur debate mbi mënyrën se si ka funksionuar kjo Gjykatë.
“Ky gjykim shpesh ka ngjallur debate mbi proporcionalitetin, synimet e tij të vërteta dhe përdorimin politik të drejtësisë, por ajo që është e pamohueshme është fakti se të akuzuarit e kanë përballuar këtë proces me dinjitet dhe vendosmëri, dhe po e shndërrojnë sallën e gjyqit në një tribunë të së vërtetës historike”, u shpreh ai.
Tutje, ai tha se fillimi i dëshmive të mbrojtjes, sidomos e atyre që vijnë nga ShBA-të e kanë bërë të qartë narrativin e pavërtetë të ngritur politikisht ndaj ish-krerëve.
LEXO EDHE: Specialja merr vendim – 11 personave u ndalohen vizitat te Thaçi
“Procesi në Dhomat e Specializuara tashmë ka hyrë në një pikë kthese të ndjeshme. Fillimi i dëshmive të mbrojtjes, sidomos atyre që vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe që monitorohen drejtpërdrejt nga institucionet amerikane, e bën këtë fazë më serioze se çdo gjë që ka ndodhur deri më tani. Është bërë e qartë se shumë nga akuzat e prokurorisë nuk e mbajnë peshën e provës dhe se narrativi i ngritur politikisht kundër ish-krerëve të UÇK-së ka indukacionr pavërtetësie të mëdha”, shtoi ai.
Ai tha se edhe pse gjykimi formal do të përfundoj në dhjetor, nuk dihet se kur do të përfundoj misioni i Dhomave të Specializuara.
“Është thënë se gjykimi formal do të përfundojë në dhjetor, por askush nuk duhet të krijojë iluzion se menjëherë pas kësaj do të ketë aktgjykim. Specialja funksionon me ritmin e vet, shpeshherë duke zgjatur mbase edhe qëllimisht procedurat. Vendimi i parë, nëse nuk shtyhet më tej, mund të pritet në pjesën e parë të vitit 2026. Kurse për përfundimin ose jo të misionit të këtyre Dhomave, bazuar në ligjin themeltar, kompetent është Këshilli i Europës”, u shpreh tutje ai.
Berisha beson se fundi i këtij procesi do të jetë një çlirim moral e politik për popullin tonë dhe një njohje e pafajësisë së atyre që padrejtësisht po mbahen larg vendit dhe familjeve të tyre.
“Epilogu i këtij gjykimi nuk do të jetë vetëm një akt juridik, por edhe një test për drejtësinë ndërkombëtare. Ajo që është më e rëndësishme sot është se në sallën e gjyqit po sfidohet vetë legjitimiteti i akuzave. Nën mbikëqyrjen e SHBA-ve, ky proces është dëshmi se drejtësia ndërkombëtare nuk mund të përdoret pafundësisht si instrument politik kundër Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare. Nëse gjykata ka guxim të qëndrojë mbi kalkulimet politike, fundi i këtij procesi do të jetë një çlirim moral e politik për popullin tonë dhe një njohje e pafajësisë së atyre që padrejtësisht po mbahen larg vendit dhe familjeve të tyre”, përfundoi ai./Gazeta Enigma/