AKK kërkon zgjidhje urgjente për zbatimin e kontratës kolektive në Arsim dhe Shëndetësi

AKK kërkon zgjidhje urgjente për zbatimin e kontratës kolektive në Arsim dhe Shëndetësi

Të mërkurën, Këshilli i Kryetarëve të Komunave të Republikës së Kosovës ka mbajtur takimin e radhës ku temë diskutimi ka qenë, problemet e komunave me zbatimin e Kontratës Kolektive në Arsim dhe Shëndetësi, transmeton Gazeta “Enigma”.

Gjatë këtij takimi, Imri Ahmeti, Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës paraqiti sfidat dhe problemet buxhetore të Komunave me rastin e zbatimit të njëanshëm të pjesëve të caktuara të Kontratës Kolektive nga përmbaruesit privat.

Ai tha se komunat nuk kanë qenë pjesëmarrës në nënshkrimin e marrëveshjes për Arsim dhe Shëndetësi.

“Komunat nuk kanë qenë palë në nënshkrimin e marrëveshjes së Kontratës Kolektive për Arsim dhe Shëndetësi”, tha Ahmeti.

Ndërsa, kryetarët e Komunave të cilët paraqiten hollësisht problemet e tyre në këtë drejtim ritheksuan se kjo situatë e rënduar ku përmbaruesitë po tërheqin mjetet buxhetore nga buxhetet komunale mund të mbingarkohet në muajtë në vazhdim deri në prishjen e skemave buxhetore komunale.

Ata thanë se po paguajnë për dëmin e shkaktuar nga nënshkrimi i kësaj Marrëveshje.

“Ne po paguajmë dëmin që ka sjell nënshkrimi i Marrëveshjes për Kontratën Kolektive për Arsim dhe Shëndetësi nga ministritë përkatëse pa konsultim me komunat”, thuhet në reagimin e tyre.

Gjithashtu, kryetarët e Komunave, në lidhje me këtë çështje u dakorduan me këto Konkluzione:

1. Kryetarët e Komunave nuk janë kundër Kontratës Kolektive.

2. Të gjendet zgjidhje urgjente në mënyrë që të mos preken buxhetet komunale si pasojë e vendimeve dhe marrëveshjeve të Ministrive pa konsultim me komunat.

3. Derisa nuk jemi palë nënshkruese si Komuna zgjidhja duhet të gjendet jashtë buxheteve komunale që po dëmton më së shumti investimet kapitale.

4. Obligimet që dalin nga kjo zbatimi i Kontratës Kolektive të mbulohen nga Ministritë që kanë nënshkruar këtë Kontratë.

5. Kryetarët e Komunave propozojnë edhe si ide që obligimet që dalin nga Kontrata Kolektive të inkorporohet me Ligjin e Pagave.

6. Tërheqja e mjeteve nga përmbaruesitë pa dëshirën e komunave po ndikon edhe në vlerësimet e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për komunat në auditimin e pasqyrave financiare. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles