Aksidentet në magjistralen Prishtinë – Gjilan janë të pashmangshme, teksa afër 400 sosh janë shkaktuar në dy vitet e fundit, 4 prej të cilave kanë përfunduar me fatalitet, shkruan Gazeta Enigma.
Shkak për këtë ekspertët e komunikacionit i cilësojnë kushtet jo adekuate në të cilat gjendet rruga që lidhë këtë zonë. Ndërkohë tash e shumë vite është planifikuar të ndërtohet autostrada që lidh këto qytete, porse ajo ende s’ka marrë epilog.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në janar të këtij viti pati deklaruar se autostrada Gjilan – Prishtinë mund të përfundojë në shtator të këtij viti.
“Autostrada, një prej projekteve më madhore, ndoshta në nivel vendi, për të cilën tashmë është ndarë buxheti në tërësi për vitin 2023, e që shpresojmë të mund të përfundohet brenda këtij viti. Kemi bërë dy vizita aty, prej kontakteve që i kemi pasur direkt në punime me kompanitë, por edhe prej takimeve që janë zhvilluar në Ministri me operatorët, zotimi është që të përfundohet në shtator të vitit 2023, ndërkohë që punime mbeten ende shumë, diku rreth 40 përqind e punimeve mbeten të përfundohen, sidomos segmenti që është në pjesën nga Gjilani, ka ende shumë punë”, pati deklaruar Hyseni.
Rreth dy muaj më vonë, në lidhje me përfundimin e kësaj autostrade, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një konferencë për media, kishte deklaruar se nuk premton që do ta përfundojnë këtë vit autostradën Prishitnë – Gjilan.
“Sa i përket autostradës Prishtinë – Gjilan, jemi duke punuar me intensitet të shtuar këtë vit. Mendoj që gjatë këtij viti do të arrijmë bukur shumë, se nuk premtoj që do ta përfundojmë këtë vit. Planin e kemi mbase që vitin tjetër të përfundojë. Por përpjekje jemi duke bërë që sa më shpejt ta realizojmë”, kishte thënë Aliu.
Gazeta Enigma ka kontaktuar këtë ministri për tu njoftuar rreth punimeve, mirëpo nuk ka marrë përgjigjie në lidhje me atë se deri ku kanë arritur punimet dhe nëse autostrada është afër finalizimit.
Rreth 400 aksidente në dy vitetet e fundit në rrugën aktuale Prishtinë – Gjilan
Policia e Kosovës, për Gazetën Enigma, ka dhënë numrin e aksidenteve të shkaktuara në magjistralen Prishtinë – Gjilan, përgjatë viteve 2022 dhe 2023, ku të dhënat paraqesin 386 aksidente trafiku në këtë aks rrugor, 4 prej të cilave kanë përfunduar me fatalitet.
Në lidhje me këtë, Gazeta Enigma ka kontaktuar me ekspertin e komunikacionit rrugor, Liridon Sejdiu, i cili ka theksuar se infrastruktura rrugore aktuale që lidh qytetin e Gjilanit me atë të Prishtinës, nuk ofron kushte të favorshme dhe nuk i plotëson kërkesat për qarkullim.
“Rruga Prishtinë – Gjilan, është rrugë me numër të madh të kthesave dhe me dukshmëri të pamjaftueshme që gabimet më të shpeshta të ngasësve është veprimi i tejkalimit të automjeteve pa u siguruar mirë që mund të bëjnë këtë veprim duke mos i rrezikuar pjesëmarresit tjerë, këto raste mund të sjellin ndeshje ballore ndërmjet automjeteve dhe që mund të jenë me fatalitet, gjë që tregojnë edhe të dhënat nga Policia, pra infrastruktura rrugore nuk ofron kushte të favorshme dhe nuk i plotëson kërkesat për qarkullim sidomos gjatë orëve kulmore”, ka thënë Sejdiu për Enigmën.
Sejdiu tutje ka theksuar se është më se e nevojshme të bëhet finalizmi i autostradës Prishtinë – Gjilan, në mënyrë që të rritet siguria në trafik.
“Finalizimi i segmentit të ri rrugor Prishtinë – Gjilan mund të rrisë sigurinë e trafikut dhe gjithashtu të përballojë kërkesat e trafikut, kur kemi të bëjmë me dy qytete të rëndësishme të Kosovës dhe lidhjet ekzistuese rrugore ndërmjet këtyre dy qyteteve lënë shumë për të dëshiruar”, ka përfunduar Sejdiu. /Gazeta Enigma