Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar edhe të hënën, në fshatin Druar të Vushtrrisë, ku gjatë patrullimit në atë pjesë, Policia ka kapur një 27-vjeçar, i dyshuar për posedim dhe shitblerje të drogës, teksa i dyshuari tjetër ka arritur të ikë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi ia arrestuar është F.Z., shofer i veturës, ndërsa miku i tij ka shpëtuar nga prangat e Policisë, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Zyrtarët policorë kanë arritur që gjatë kontrollit të gjejnë një kavanoz me substancë të dyshuar narkotike, si dhe disa qese po ashtu me marihuanë. Teksa droga është sekuestruar nga Policia, është dhënë urdhër për bastisje në dy lokacione.
Antidroga ka kryer kontroll në një banesë dhe në një shtëpi, ku janë gjetur po ashtu dëshmi, pajisje të ndryshme për përpunimin dhe matjen e substancave të tilla, të cilat po ashtu janë marrë si provë materiale në kuadër të rastit.
Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për ta kapur të dyshuarin tjetër.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.