Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, të premten ka zhvilluar një aksion kundër fajdexhinjve në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Gjilanit.
Sipas Policisë ky operacion policor u realizua pas ndërmarrjes së veprimeve operative hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale “fajde” dhe “detyrim”.
Në këtë aksion sipas Policisë janë arrestuar dy të dyshuar dhe një është në kërkim policor. Ata dyshohen se i kanë shkaktuar dëm material në vlerë 600 mijë euro një personi.
LEXO EDHE: Aksioni anti-fajde vazhdon edhe në Gjilan, sekuestrohen vetura e motoçikleta
“Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mbetet në kërkim policorë, si dhe janë gjetur prova se të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale të fajdes dhe detyrimit për të cilat janë hetuar. Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro”, thuhet në njoftim.