Aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq për sulm ndaj gazetarëve në veri

Aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq për sulm ndaj gazetarëve në veri

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe, Slakvo Simiq dhe një personi tjetër për sulmet ndaj gazetarëve në vitin 2023 në Leposaviq. 

Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë ndaj personit me iniciale S.S., deputet i Kuvendit të Kosovës, me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi’, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, ka njoftuar Prokuroria.

Sipas njoftimit me datë 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K., në Leposaviq, i pandehuri S.S., me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, “ashtu që në momentin që nga objekti i komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat, me ç`rast vazhdon sulmi në drejtim të gazetarëve dhe mediumeve të Republikës së Kosovës, fillimisht me shok bomba, pastaj i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta si kubëza betoni tulla, ngjyra dhe gjësende tjera, si pasojë e të cilave kanë pësuar lëndime të rënda trupore dy gazetarë.”

Po ashtu Prokuroria ka njoftuar se i pandehuri tjetër U.V., si i përfshirë drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve të Republikës së Kosovës, akuzohet për kryerjen e veprave penale ”Sulmi” nga neni 184 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 të KPRK, dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Related Articles