Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka treguar se pse Kosova nuk është ftuar në Samitin e Demokracisë të SHBA-ve.
Nga Zyra për Medie e ambasadës kanë deklaruar se “Jo të gjithë partnerët mund të përfshiheshin në këtë iniciativë”.
“Samiti i Presidentit për Demokraci është një nga iniciativat e shumta të SHBA-ve të fokusuara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut në mbarë globin”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane për Telegrafin.
Sipas deklaratës qëllimi i këtij Samiti ishte bashkimi i një grupi rajonal dhe socio-ekonomik të vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë demokracitë e vendosura mirë ashtu edhe ato në zhvillim me diversitet të madhësisë së popullsisë, demografisë dhe vendndodhjes.
“Siç vuri në dukje Presidenti Biden në fjalimin e tij video të gushtit, Kosova ka bërë “përparim të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit” duke ndërtuar një demokraci multietnike”, thuhet në përgjigje.
“Si partner i palëkundur i Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për të avancuar dhe forcuar demokracinë, për të parandaluar prapambetjen demokratike, për të promovuar respektin për të drejtat e njeriut dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë ofrojnë për nevojat e tyre për të gjithë njerëzit”.
Më 9 dhe 10 dhjetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahet për herë të parë Samiti për Demokraci, ndërsa tashmë po qarkullon në media lista me vendet që janë ftuar për të qenë pjesë e samitit.