Disa ambasada të huaja në Kosovë u kanë dërguar një e-mail të brendshëm stafit të tyre, që të evitojnë turmat dhe qendrat e mëdha tregtare nëpër qytetet e Kosovës, pasi ka rrezik për një sulm.
Në këtë e-mail thuhet se bëhet fjalë për “një sulmues të vetëm”.
Koha e mundshme për sulmin eventual është përcaktuar fundi i këtij muaji, saktësisht 30 nëntori.
Në këtë e-mail gjithashtu thuhet se policia lokale është duke monitoruar të dyshuarin.
Për të qenë të sigurt, të gjithë anëtarët e stafit janë këshilluar të mos vizitojnë zonat e mëdha tregtare, veçanërisht qendrat tregtare.
Burime të Albanian Post brenda policisë gjithashtu kanë konfirmuar se u është kërkuar një shtim i forcave rreth këtyre qendrave, ku eventualisht është planifikuar sulm, porse një operacion operativ i organizuar nuk është dhënë.
Policët më të shumtë në numër aktualisht po bëjnë monitorime dhe vëzhgime për të siguruar perimetrin përreth këtyre qendrave.
Sulmi është kategorizuar si “sulm i mundshëm terrorist”.
Zyrtarisht megjithatë, Policia e Kosovës asgjë nuk ka konfirmuar.
I kontaktuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka deklaruar se për informacione të tilla duhet të kontaktohet zyra qendrore, mirëpo zëdhënësi i përgjithshëm i Policisë, Baki Kelani, nuk u është përgjigjur thirrjeve të mediumit.
/Gazeta Enigma/