Ambasadori gjerman: Kërkojmë që Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinën e dialogut

Ambasadori gjerman: Kërkojmë që Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinën e dialogut

Çështja më e nxehtë e Kosovës për tash e disa vite vazhdon të mbetet dialogu me Serbinë.

Dhe pikërisht për këtë temë, ka folur edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Diplomati gjerman siguroi mbështetjen ndaj qeverisë Kurti, ndërsa theksoi se kjo e fundit duhet të bëjë hapa konkretë sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë dhe të mos mbetet vetëm në kuadrin e deklaratave.

“Mendoj se Përfaqësuesi Special Lajçak po bën ç’është e mundur për të ndërmjetësuar një marrëveshje dhe ne u kërkojmë të dyja palëve të ulen në tavolinë, të përpiqen të gjejnë një kompromis, sepse në fund të fundit, qytetarët duan rezultate”.

“Kjo është edhe arsyeja pse u zgjodh kjo qeveri, për rezultate, jo deklarata”, u shpreh diplomati gjerman, për Euronews Albania.

Ai tha se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, por theksoi se brenda BE nuk ka unanimitet për këtë çështje.

“Problemi qëndron tek disa shtete skeptike. Ne, sikurse edhe Komisioni Evropian e dimë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme”.

“Është mirë që qeveria tani është angazhuar edhe me shtetet skeptike dhe mendoj se do të vijë. Ka zgjedhje në disa shtete evropiane dhe unë mbetem optimist”, tha ambasadori Rohde.

Diplomati gjerman komentoi edhe nismë ‘Open Balkan’, e cila sipas tij nuk është gjithëpërfshirëse, ndaj në këto kushte ai mbështet Procesin e Berlinit.

“Procesi i Berlinit është përfshirës. Nëse i tillë është edhe ‘Open Balkans’ nuk e kam parë këtë ende. Kam parë që tri shtete nuk marrin pjesë dhe kjo është një çështje e hapur”.

“Kryesore është që Procesi i Berlinit është proces përfshirës. Fatkeqësisht nuk ka prodhuar ende shumë përparim, edhe për shkak të konfliktit në mes Kosovës dhe Serbisë dhe ne po shpresojmë ta tejkalojmë këtë”, u shpreh ambasadori gjerman.

Lajçak: Mardhëniet Kosvoë-Serbi ndikojnë edhe në Rajon

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për vijesti.me ka pohuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë – kanë ndikim edhe në bashkëpunimin rajonal.

“Sfida e rëndësisë më të madhe strategjike është normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse nuk ka të bëjë vetëm me dy vende duke marrë parasysh se shqiptarët dhe serbët jetojnë në çdo vend të Ballkanit dhe se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ndikojnë në bashkëpunimin rajonal, ndaj zgjidhja e kësaj çështjeje është e një rëndësie strategjike më të madhe”, tha Lajçak.

Lajçak po ashtu foli edhe për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe situatën e paqëndrueshme politike në Bosnje-Hercegovinë.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria urgjentisht duhet të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Problemi serioz është edhe kriza në Bosnje-Hercegovinë”.

“Qeveria malazeze aktualisht nuk e ka shumicën në parlament dhe ky problem duhet të adresohet”.

Mbi të gjitha, diplomati evropian deklaroi se sfida themelore është drejtimi që po merr gadishulli ballkanik.

“Dhe sfida që mendoj se është më themelore është pyetja se si do të jetë Ballkani. A do të ketë një Ballkan që ndan vlerat evropiane, që promovon demokracinë dhe sundimin e ligjit, që lufton korrupsionin dhe që ka media të pavarura dhe shoqëri civile”.

“Ose do të kemi shoqëri në të cilat nuk ka asgjë të tillë pa pasur një lloj qeverie autoritative, pa respektuar vlerat evropiane”./Gazeta “Enigma”/

Related Articles