Ambasadori i Gjermanisë thotë se Qeveria Kurti nuk i dëgjoi këshillat e tyre

Ambasadori i Gjermanisë thotë se Qeveria Kurti nuk i dëgjoi këshillat e tyre

“Gjermania e do Kosovën brenda (KiE-së), por duhet të sigurohemi që vendet që kanë dyshime, që kjo shumicë e 2/3 të arrihet, dhe pa hapa të besueshëm në atë drejtim përsëri nuk po flasim për zbatim e Asociacionit, por për hapat e parë, dhe kjo nuk ka ndodhur. Dhe siç thuhet në letrat e dy shefave të qeverisë, topi ka filluar në Kosovë dhe është ende këtu, dhe gjersa topi rrotullohet në drejtimin ku dëshirojmë, rruga është e hapur për anëtarësim dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt”.

Kështu u shpreh ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për Klan Kosova.

Në lidhje me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ai u pyet se kur kjo mund të ndodhë, dhe se a janë në pyetje muaj.

“Po. Varet se kur topi shutohet në drejtim të duhur. Mund të ndodh sepse mund të ketë sesione të jashtëzakonshme në KiE, në Këshillin e Ministrave, por duhet të shohim lëvizje përkatëse nga qeveria”, theksoi Rohde, raporton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se raporti i raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, nuk përmend kushte, por rekomandime.

“Zyrtarisht ato nuk quhen kushte, por rekomandime. Më duhet të theksoj sërish: AP e KiE-së ka votuar me shumicë absolute për të rekomanduar Kosovën për anëtarësim, por vendimi i takon qeverisë, dhe kjo duhet të vendosë. Dhe në fund duhet ta bindni qeverinë. Dhe siç e dini, ne jemi aleatë të mëdhenj të Kosovës. Kemi thënë se 2/3 e shumicës është e siguruar nëse i ndërmerrni hapat e caktuar që e kemi këshilluar Kosovën që t’i ndërmarrë, dhe kjo ende nuk ka ndodhur. I referohem fjalëve që i thashë më herët: topi është në fushën e Kosovës”, potencoi diplomati gjerman i akredituar në Kosovë.

Duke u ndalur te raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë, Rohde tha se “marrëdhëniet nuk ndërtohen në një çështje të vetme”.

“Në politikë, si në familje, keni nganjëherë mendime të ndryshme, duhet t’i menaxhoni mospajtimet. Në BE kemi 27 shtete anëtare, dhe duhet të themi se Gjermania ka disa tema të nxehta me fqinjin tonë Francën, por menaxhojmë pëlqimin dhe kompromisin. BE-ja nganjëherë është një proces shumë i mërzitshëm, jemi një makinë e kompromizuar, por kjo na sjell përpara, sepse të gjithë duhet në parim, në fund të fundit, të shikohen në pasqyrë dhe të thonë: si mund të arrijmë një emërues të përbashkët, dhe dëshira jonë, nuk po flas vetëm për Gjermaninë, dëshirojmë që Kosova të jetë aty. Dhe vetëm mund të japim këshilla, është vendim sovran i Kosovës të vazhdojë apo jo. Por mendoj se kjo do të ishte thënia ime përfundimtare për këtë: po t’i kishte ndjekur këshillat tona vitin e kaluar kur e keni dërguar aplikimin e Kosovës në AP, sepse ka pasur një bord dhe ka pasur shumë shtytje për shkak të Kosovës, dhe ia ka dalë mbanë. Kësaj radhe qeveria nuk i ka dëgjuar këshillat tona”, theksoi ambasadori.

Related Articles