Pas shpërthimit të zjarrit në Bjeshkët e Deçanit, ka reaguar edhe Agjencia e Menaxhimit Emergjent, raporton Gazeta “Enigma”.
Në një postim në Facebook, AME-ja thotë se ka nivel të shtuar të zjarreve, derisa për flakët në Bjeshkët e Deçanit, kjo agjenci thotë se situata është nën kontroll.
“Sipas raporteve të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, në nivel vendi është vërejtur një shtim i zjarreve”.
“Një nga zjarret më të mëdha aktualisht është regjistruar në Komunën e Deçanit, në vendin e quajtur “Çeli”, ku kanë përfshirë një sipërfaqe me gështenja dhe shkurre. Pas pranimit të njoftimit, janë mobilizuar forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore si dhe vullnetarë. Ekipet po punojnë intensivisht për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, aktualisht, zjarri është nën kontroll”, thuhet në reagimin e tyre.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ka apeluar për kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë stinës së thatë, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë dhe duke raportuar menjëherë çdo rast të dyshimtë në numrin emergjent 112.
“Ky numër është falas nga të gjithë operatorët e komunikimit elektronik në Kosovë. Kujdesi dhe veprimi i shpejtë i secilit mund të ndihmojë në parandalimin e dëmeve të mëdha në mjedis dhe rrezikut për jetën dhe pronën e qytetarëve”.