Kryetarja e Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës -AMPEK, Afërdita Saraçini-Kelmendi, ka thënë se është shqetësuese ndryshimi i rregullores së Komisionit të Pavarur për Media me një procedurë të përshpejtuar dhe pa paralajmërim paraprak.
Përmes një deklarate, ajo shprehet se veprime të tilla ngjallin dyshime për ndërhyrje politike në një institucion që është i garantuar si i pavarur.
“Ndryshimi i rregullores së Komisionit të Pavarur për Media (KPM) me një procedurë të përshpejtuar dhe pa paralajmërim paraprak ngre shqetësime të mëdha për transparencën dhe legalitetin e procesit. Ky veprim, që shënon një devijim nga praktikat e zakonshme dhe të njohura, i hap rrugë zgjedhjes së kryetarit të ri të KPM-së pa respektuar procedurat standarde, duke krijuar dyshime mbi motivet dhe integritetin e këtij procesi. Vendosja e këtij ndryshimi si një “pikë në të ndryshme” në rendin e ditës shmang çdo diskutim të thelluar publik ose institucional, gjë që rrit pikëpyetjet për qëllimet që fshihen pas këtij veprimi. Për më tepër, një veprim i këtillë ngjallë dyshime për ndërhyrje politike në një institucion që është kushtetuesisht i garantuar si i pavarur”, thuhet në deklaratën e Saraçinit.
“Këto zhvillime krijojnë një precedent të rrezikshëm për pavarësinë e KPM-së dhe për lirinë e medias në Kosovë. Në një demokraci funksionale, ndryshimet që prekin institucione të tilla duhet të ndjekin procedura transparente, të jenë të diskutuara gjerësisht dhe të mos cenojnë integritetin e këtyre institucioneve. Prandaj, është e domosdoshme që këto veprime të shqyrtohen me kujdes dhe të kërkohet llogaridhënie nga ata që i kanë iniciuar”.