Hezitimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për ta goditur Serbinë pas tensioneve të fundit në veri, vjen për shkak të tentativës që atë ta shkëpusin përfundimisht nga ndikimi rus e kinez, kanë thënë analistë amerikanë. Sipas ekspertëve për Ballkanin, Daniel Serwer e David Philips, karotat e Perëndimit për Serbinë nuk janë duke funksionuar teksa e cilësojnë të padrejtë presionin që po i bëhet vetëm Kosovës për situatën në veri.
Synimi i Perëndimit për ta shkëputur Serbinë nga ndikimi rus e kinez ka bërë që SHBA-ja ta rrisë presionin mbi Kosovën, kanë thënë njohës të zhvillimeve.
Duke komentuar tensionet e fundit në veri, për të cilat SHBA-ja e BE-ja e fajësuan Qeverinë e Kosovës, ekspertë amerikanë për Ballkanin kanë thënë se acarimi i raporteve Kosovë-SHBA ka shkuar aq larg saqë do të duhet shumë kohë për rikuperimin e tyre.
Ish-diplomati Daniel Serwer ka thënë se amerikanët dhe evropianët kanë vendosur se është më e rëndësishme t’i ofrojnë Serbisë karota për t’u kthyer kah Perëndimi sesa të jenë ndihmues për Kosovën.
“Perëndimi e do një Serbi të shkëputur nga Moska dhe Pekini. Por kjo nuk po funksionon, sepse vetëm me karota nuk mund të arrihet kjo. Duhet gjithashtu t’i bëhet presion Beogradit. Mendoj se presioni ndaj kryeministrit Kurti vjen nga dy burime- i pari është jofleksibiliteti aktual, kurse e dyta, armiqësia e gjatë ndaj tij në Washington”, ka deklaruar Serwer.
Veç ndërlidhjes me situatën në Ukrainë, sipas Serwerit, ka edhe zhvillime të tjera për të cilat ShBA-ja e BE-ja janë duke e ledhatuar Serbinë.
“Njëri motiv duket të jetë fakti se Serbia po dërgon armë në Ukrainë dhe kjo me gjasë i shtynë SHBA-në dhe BE-në të hezitojnë për ta goditur Vuçiqin. Por nuk besoj se ky është motivi kryesor. Mendoj se motivi kryesor veçanërisht i amerikanëve është premtimi se Serbinë mund ta kthejnë kah Perëndimi përmes karotave. Por kjo nuk po funksionon dhe prandaj ata duhet ta fajësojnë sa më shumë që është e mundur Kosovën”, është shprehur ai.
Ndërkaq drejtori i programit për paqe dhe të drejta të njeriut në Universitetin e Kolumbias, David Philips, ka thënë se Qeveria e Kosovës përmbushi vetëm një detyrim ligjor, teksa presionin mbi kryeministrin Kurti e cilëson jo të drejtë.
“Është e saktë që shkopi po përdoret kundër Kosovës. Kosovës duhet t’i jepen stimuj për ta përshtatur kursin e saj me shpërblime të përshtatshme për qeverinë e Prishtinës për bashkëpunimin me SHBA-të. Kryetarët e komunave u zgjodhën siç duhet dhe duhet të ulen në zyrat e tyre të ligjshme. Çdo gjë më pak minon sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë në Kosovë. Strukturat paralele duhet të shpërbëhen në mënyrë që Qeveria e Kosovës të funksionojë në mënyrë efektive. Në vend që të ushtrojë presion vetëm ndaj Kurtit, Uashingtoni duhet të bëjë presion ndaj Beogradit që të luajë sipas rregullave”, ka deklaruar ai.
Gjatë vizitës në Prishtinë, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se moskoordinimi me ShBA-në për vendosjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, do të ketë pasoja për Prishtinën.
E, pasoja e parë ishte përjashtimi për këtë vit i FSK-së nga aktiviteti ushtarak “Europe Defender 2023”.
Megjithëkëtë, Escobar theksoi se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por nuk mbështet një individ “që nuk ka instinkt bashkëpunimi”.
Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, ka vlerësuar se Kosova duhet të jetë e shqetësuar për raportin e krisur me ShBA-në.
“Kështu që më duket se po vjen koha për një rifillim të marrëdhënies miqësore mes Prishtinës dhe Uashingtonit dhe mes Prishtinës e Brukselit. Ajo që saktësisht duhet të ndodhë, nuk mund ta them nga kjo distancë, por mendoj se Prishtina duhet të jetë e shqetësuar se gjërat po u dalin nga duart dhe ato duhet të rikuperohen”, ka thënë Serwer.
Duke iu referuar qëndrimeve të fundit të diplomatëve amerikanë, David Philips ka vlerësuar se do të duhet kohë për rikuperimin e marrëdhënieve Kosovë-ShBA.
“SHBA-ja nuk ka mik më të mirë se Kosova dhe Kosova nuk ka mik më të mirë se SHBA-ja. Na duhet kohë për t’u qetësuar dhe për ta rikthyer marrëdhënien në rrugën e duhur”, ka thënë Philips.
Tri kërkesat e BE-së e ShBA-së për shtensionimin e situatës janë: largimi i kryetarëve nga objektet komunale në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash, si dhe rinisja e angazhimeve për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.