Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, është duke qëndruar për vizitë në Kosovë.
Lajçak gjatë ditës së djeshme është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa është takuar edhe me liderët e partive politike, shkruan Gazeta Enigma.
Analisti Gazmir Raci në një përgjigje për Gazetën Enigma në lidhje me vizitën e Lajçakut në Kosovë ka thënë se është Bashkimi Evropian duhet të koncentrohet në marrëveshjen finale që të arrihet dialogu.
Tutje ai ka shtuar se vizita e Lajçakut në Kosovë “është e rëndësishme për shkak se e bënë vlerësimin, ku forma e zgjidhjes është dialogu”.
“Do të ishte më mirë që Bashkimi Evropian tash e tutje të koncentrohet me marrëveshjen finale në mënyrë që të arrihet deri te përfundimi i këtij dialogu, sepse stërzgjatja e tij vetëm i mundon palët dhe e shtyn marrëveshjen përfundimtare”, tha Raci.
Sipas tij, çështja e vizitave nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë është në lidhje me dialogun.
“Në fund të fundit edhe çështja e vizave tashmë është lidhur me dialogun. Në konkluzionet e fundit të Bashkimit Evropian përmendet vetëm dialogu e që për mendimin tim i bie që progresi në dialogun Kosovë – Serbi është edhe kushti i fundit për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ai.
“Prandaj duhet ta synojmë marrëveshjen finale sa më shpejtë që të jetë e mundur sepse i heqim qafe vizat por edhe na hapet perspektiva evropiane e shtetit”, ka theksuar Raci.
Sipas Racit “roli i vizitës së Lajçakut në Kosovë është pozitivë, dhe vlenë të theksojmë se ai nuk ka rol tjetër përpos me i lehtësimit dhe ndërmjetësimit në këto çështje”.
Bashkimi Evropian asnjëherë nuk ka ofruar zgjidhje, ajo duhet me patjetër të arrihet nga të dyja palët ka deklaruar Raci.
“BE-ja kurrë nuk ka ofruar zgjidhje, zgjidhja duhet të vijë prej palëve, dhe BE-ja nuk insiston në zgjidhje, ajo i ofron palët dhe në momentin kur ka përafrime, çka do të thotë se ata në këtë proces kanë qenë lehtësues të dialogut, ku pika kryesore e çfarëdo marrëveshje finale që do të arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Raci për Enigmën.
Ndërsa, njohësi i së drejtës dhe çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një përgjigje për Gazetën Enigma tha se ardhja e Lajçakut në Kosovë ka për qëllim t’a fitoj vullnetin politikë të udhëheqësve tonë që të vazhdohet dialogu.
Shqiprim Pula: Ardhja në Kosovë e të dërguarit special të Unionit Evropian, ndërlidhet me disa pika:
▪︎ Mandatin e tij që pritet të konfirmohet sërish;
▪︎ Me festën e Vidovdanit ngase vizita e tij në veriun e vendit dhe takimet edhe me klerin ortodoks serb tregojnë shumë prandaj dhe kjo nuk është koincidencë datash;
▪︎ Përmbylljen e marrëveshjes mbi targat; si dhe
▪︎ Kërkesën ndaj qeverisë për intensifikimin e takimeve për marrëveshje të tjera.
“Mbi të gjitha, e para së gjithash, për zotëri Lajçakun është me rëndësi t’a fitoj vullnetin politikë të udhëheqësve tanë që të vazhdohet dialogun”, ka përfunduar Pula.
Kurti dhe Lajçk diskutuan për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015
Sa i përket takimit, në njoftimin e qeverisë thuhet se Kurti e ritheksoi se ekzekutivi është angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
”Kurti dhe Lajçak folën edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ai theksoi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri të vendit”.
“Në sajë të kësaj marrëveshje, pas më shumë se 20 vitesh, katër komunat në veriun e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë. Me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit”, thuhet në njoftim.
Lajçak në takim me Krasniqin, i përsëriten qëndrimet e PDK-së për dialog
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot u takua me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili e informoi partinë më të madhe opozitare në vend për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Tutje Krasniqi ka bërë të ditur se në këtë takim ka përsëritur qëndrimin e PDK-së për dialogun.
“Lajçak më informoi rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapave të mëtutjeshëm që pritet të ndërmirren. Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka Krasniqi.
Lajçak sot është takuar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj.
LEXO EDHE: Haradinaj në takim me Lajçak: Ripërsërita qëndrimet tona për dialogun
LEXO EDHE: Abdixhiku takon Lajçakun – flasin për dialogun dhe vizat
Pas Kosovës, Lajçak viziton Serbinë në fundjavë
Qëllimi i kësaj vizite është të ruajë momentumin e arritur në dialog prej marrëveshjes së 21 qershorit për energjinë të nënshkruar në Bruksel mes kryenegociatorëve, respektivisht Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviçit. /Gazeta Enigma/