Këtë të diele u mbajtën Zgjedhjet Lokale në vend. Rezultati nga këto zgjedhje i çoi në balotazh 21 komuna.
Partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje nuk fitoi në asnjë komunë, por shkon në balotazh në 12 komuna. PDK-ja ka fituar në 4 Komuna të dielën, LDK-ja dhe AAK-ja nga dy.
Analistët po e shohin VV-në si humbësen kryesore të këtij cikli zgjedhorë.
Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, ka thënë se me rezultatin e treguar PDK-ja dhe VV-ja janë fitues në zgjedhjet lokale kurse VV-ja humbësja më e madhe.
“Fituesit më të madh të këtyre zgjedhjeve janë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kurse humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje dhe pjesërisht Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë Sadiku.
Për këtë rënie drastike të VV-së, Sadiku po e sheh punën e dobët të kësaj partie në qeveri dhe kandidatët e dobët që garuan në zgjedhje.
“Ajo çka Lëvizja Vetëvendosje e ka paraqitur në qeverisje përveç kryeministrit Kurti, ministrat e tjerë nuk kanë treguar ndonjë performancë të mirë sidomos këta që vinë nga VV-ja si dhe mos gjetja e kandidaturave të duhura nga ana e VV-së”, ka thënë ai.
Sipas Sadikut gara në Prishtinë dhe Prizren do të jetë interesante, ku sipas tij, pritet fitore për LDK-në në Prishtinë dhe fitore në Prizren për PDK-në.
“Në Prishtinë mund të jetë aleancë në mes të LDK-së dhe PDK-së, në Prizren Lidhja Demokratike do ta mbështes Partinë Demokratike”, është shprehur Sadiku.
Ndërsa politologu Fidan Ukaj thotë se qytetari e ndëshkoi VV-në dhe PDK-ja e LDK-ja e kaluan testin për ndryshimet që i bënë në struktura dhe udhëheqje.
“Fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve është qytetari, qytetari vendosi ata që i ka vlerësu me 14 shkurt tregoj se dinë edhe me i ndëshku në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje por gjithashtu ishte edhe një test për dy subjektet tjera politike LDK dhe PDK sepse ato kanë bërë ndryshime në drejtuesit e partive politike dhe qytetari ju dha një vlerësim figurave te reja në LDK dhe PDK”, ka thënë politologu Ukaj.
Ukaj parashikon fitore të kandidatit të LDK-së, Përparim Rama në kryeqytet pasi votuesit e PDK-së e partive të tjera do të rreshtohen në përkrahje të tij.
“Rama mund të ketë gjasa më të mëdha që të jetë kryetari i ardhshëm i Prishtinës pasi siç dihet votuesi i PDK-së mund të rreshtohet me z.Rama ose i AAK-së dhe votues të tjerë dhe të ndryshojnë përqindjet të krijuara në rundin e parë të zgjedhjeve dhe z.Rama të jetë kryetari i ardhëm i Prishtinës”, ka thënë Ukaj.
Ai tutje ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje ku thotë se udhëheqja e kësaj partie ka neglizhuar qytetarin me kandidaturat komunale.
“Lëvizja Vetëvendosje e them në gjuhen popullore “ka bo hajgare” me votuesin e vetë me qytetarin e ka vendosë figura të panjohura , ose figura që punen e parë të tyre e kanë pasur kandidaturën për kryetar komune dhe qytetari ashtu siç dinë të vlerësoj dinë edhe të ndëshkoj”, ka thënë Ukaj.
Përderisa analistët parashohin se LDK-ja dhe PDK-ja do të bashkëpunojnë në Prishtinë dhe Prizren, ku janë në garë të balotazhit, kandidatët e VV-së në këto dy Komunat më të mëdha të vendit prijnë në raundin e parë të zgjedhjeve. Arben Vitia i VV-së ka fituar 42.33% të votave në Prishtinë, me rreth 13% më shumë vota se kandidati i LDK-së, ndërsa Mytaher Haskuka i VV-së ka fituar 40.43% të votave në Prizren, mbi 9 për qind më shumë se kandidati i PDK-së./Gazeta Enigma/