Qasja e Perëndimit, që “nuk sheh asnjë të keqe” tek presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po destabilizon Ballkanin. Kur Rusia pushtoi Ukrainën, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian përshpejtuan orientimin e tyre drejt Serbisë.
Në vend që të përballen me kërkesat kontradiktore të shteteve pluraliste dhe të përçara ballkanike, kryeqytetet perëndimore i kanë përqendruar shumicën e përpjekjeve të tyre në një objektiv të vetëm, analizon CNN.
Politika e tyre kishte dy synime. Së pari, ta futin nën orbitën perëndimore Serbinë, larg Rusisë. Së dyti, të lejojnë administratat e tyre të fokusohen në mbështetjen e Ukrainës.
Tradicionalisht një nga aleatët më të afërt të Moskës në Evropë, Beogradi është përpjekur prej kohësh të ecë në vijën midis lidhjeve të tij historike me Rusinë dhe të ardhmes së mundshme të integrimit evropian. Diplomatët perëndimorë kanë kërkuar të tërheqin presidentin serb nga orbita e homologut rus, presidentit Vladimir Putin, duke i premtuar një rrugë më të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, ndërsa paralajmërojnë izolim në rast mosbindjeje.
Por, 18 muaj më vonë, disa analistë thonë se qasja aktuale nuk ka qenë asgjë më shumë se një karotë, duke rezultuar me dështim në arritjen e të dyja qëllimeve.
Vuçiq ka refuzuar të marrë pjesë në të gjitha raundet e sanksioneve të BE-së kundër Putinit dhe ka vazhduar të ndjekë interesat e veta në rajon me gjithnjë e më pak përgjegjësi, duke nxitur konflikte përtej kufirit për të larguar vëmendjen nga pakënaqësia në vend.
Pasojat e një qasjeje të tillë u ndjenë më së shumti në Kosovë, e cila fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftërave të përgjakshme ballkanike të viteve 1990. Por, Beogradi – dhe shumë serbë etnikë në Kosovën veriore – ende refuzojnë të njohin sovranitetin e tij, duke tensionuar marrëdhëniet midis fqinjëve.
CNN foli me disa ekspertë, si dhe me banorë vendas në Serbi dhe në veri të Kosovës, të cilët janë të alarmuar nga përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për ta tërhequr Serbinë në komunitetin euro-atlantik, dhe të cilët argumentojnë se ndjekja e tyre e vazhdueshme e politikave të tilla rrezikon të largojë aleatët demokratik dhe po shton shqetësimet për sigurinë e rajonit.
“Kali rus i Trojës”
Qeveritë perëndimore e kanë trajtuar prej kohësh Serbinë si një zë të domosdoshëm ballkanik, ndonjëherë në kurriz të lojtarëve më periferikë, thonë disa analistë.
“Besimi i tyre është se Serbia është një vend ballkanik, siç e shohin ata. Serbia është ajo me të cilën, nëse mund ta tërhiqni në anën tonë – çfarëdo që do të thotë – gjithçka do të jetë më e lehtë”, tha për CNN-in, Jasmin Mujanoviq, shkencëtar politik i specializuar në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa njëra pas tjetrës administratat amerikane janë përpjekur të rikthejë Vuçiqin dhe Partinë e tij Progresive Serbe (SNS) në shoqëri, ato përpjekje kanë qenë “veçanërisht të pafytyra” që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tha Mujanoviq, dhe nuk i kanë arritur qëllimet e SHBA-së.
“Ata duket se besojnë se po e afrojnë Serbinë me BE-në dhe NATO-n, dhe me mendimin perëndimor, dhe po e distancojnë vendin nga Rusia… Por, kjo nuk është diçka që unë do të thoja se reflektohet në terren”, Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetare e komisionit parlamentar për punë të Jashtme.
Vuçiq ka mbajtur prej kohësh një marrëdhënie të ngushtë me homologun rus Putin. Duke folur pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në muajin shkurt, Vuçiq shpjegoi vendimin për të mos sanksionuar Rusinë sepse ishte “i vetmi vend që nuk vendosi sanksione kundër nesh në vitet 1990”.
“Ata mbështetën integritetin tonë territorial në Kombet e Bashkuara”, shtoi ai, duke iu referuar refuzimit të Rusisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Serbia humbi kontrollin e Kosovës pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, e cila i dha fund masakrave ndaj shqiptarëve etnikë – të cilët përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullsisë së Kosovës – nga forcat serbe.
Pavarësisht përpjekjeve të tranzicionit energjetik të mbështetur nga BE-ja, Serbia mbetet shumë e varur nga Rusia, pasi i ka shitur shumicën e aksioneve në kompaninë e saj të naftës gjigantit shtetëror rus Gazprom.
Rezultati është se, pavarësisht shpresave të Serbisë për t’u bashkuar me BE-në, Vuçiq ka vazhduar të ecë në një litar të ngushtë midis Moskës dhe fuqive perëndimore. Edhe pse ai i është bashkuar rezolutës së OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës, lideri serb ka treguar pak vullnet për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore.
Në prill, qeveria serbe mohoi raportet se i kishte shitur armë dhe municione Ukrainës, pasi u shfaq një dokument i Pentagonit që pretendonte të kundërtën. Në atë kohë, Serbia tha se po i qëndronte politikës së saj të neutralitetit, megjithëse disa zyrtarë perëndimorë i morën raportet si provë se politika e tyre po funksiononte.
Disa analistë thanë për CNN se Serbia duhej të bënte shumë pak për të fituar lëvdata nga zyrtarët amerikanë dhe evropianë dhe se në realitet Vuçiq la gjurmë të thyerjes së premtimeve.
“Kur patëm rizgjedhjen e tij (të Vuçiqit) në vitin 2020, të gjithëve na thanë, ‘thjesht prisni deri pas zgjedhjeve, papritmas do ta shihni atë të bëhet shumë i orientuar nga perëndimi dhe Evropa’”, tha Kearns. “Kjo nuk ndodhi.”
“Na është thënë se ai do t’i bashkohet sanksioneve dhe do të tregojë se është sinqerisht në anën tonë. Kjo nuk ndodhi. Na thuhet se nuk do t’i afrohen Rusisë. Ai nënshkroi një marrëveshje sigurie me Putinin në shtator. Herë pas here ai qesh në fytyrën e Perëndimit. Dhe kur i pyes zyrtarët perëndimorë, ‘pse jeni kaq të vendosur për të lënë Vuçiqin t’ju tejkalojë?’, ata thonë se ai është alternativa më e mirë,” tha Kearns.
Kjo e fundit ishte një nga zyrtarët e paktë perëndimorë që kritikoi publikisht Serbinë. Por, erdhi me një çmim. Pasi foli për CNN, Vuçiq e kërcënoi dukshëm gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror, duke pretenduar se “nëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk përgjigjet” ndaj kritikave të saj ndaj Serbisë, “ne do të detyrohemi të përgjigjemi”.
Duke pasur parasysh një sjellje të tillë, disa pyesin nëse i gjithë projekti i integrimit serb është i qëndrueshëm nën sundimin e tij aktual.
“Duke shpresuar në njëfarë mënyre në ndonjë mrekulli se ne mund ta sjellim Serbinë në BE, me këtë lloj regjimi, ju praktikisht po sillni një kalë tjetër troje rus në BE, siç keni në formën e (kryeministrit hungarez Viktor) Orban”, tha Maida Ruge, eksperte për Ballkanin në Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR).
“Po, ju mund të ndikoni në zgjerim, por sigurisht që nuk do ta neutralizoni ndikimin rus në rajon – do ta sillni atë vetëm në BE”, shtoi ajo.
Por këto nuk ishin rrethana të zakonshme. Në nëntor, kryetarët nga partia Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, e cila dominon katër komunat, dhanë njëkohësisht dorëheqje. Ato u shoqëruan edhe me largimin e policëve, personelit administrativ dhe gjyqtarët serbë.
Dorëheqjet e tyre shkaktuan zgjedhje të reja, të cilat duhej të mbaheshin në dhjetor. Lista serbe njoftoi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, pasi serbët i bojkotuan ato, me mbështetjen e plotë të Vuçiqit. Por, duke pasur parasysh tensionet, Kosova pranoi të shtyjë zgjedhjet deri në prill – një vendim i vlerësuar nga Quint-i, një grup joformal i përbërë nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia.
Meqenëse serbët e Kosovës nuk morën pjesë, kandidatët shqiptarë etnikë garuan pa kundër kandidat. Zyrtarët zgjedhorë thanë se vetëm rreth 1500 njerëz votuan në katër komunatë – një pjesëmarrje prej vetëm 3.5 për qind. Disa kryetarë u zgjodhën me më shumë se 100 vota.
Por, edhe pse zgjedhjet nuk ishin aspak përfaqësuese, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kjo çështje nuk përfaqësonte asgjë më pak se vetë sundimin e ligjit.
“Kemi katër kryetarë komunash, legjitimiteti i të cilëve është i ulët. Por, megjithatë, nuk ka asnjë më legjitim se ata. Duhet të kemi shtet ligjor. Ne jemi një republikë demokratike”, tha Kurti për CNN në muajin maj.
Megjithatë, qëndrimi i kryeministrit është kritikuar si i prerë dhe pa kompromis. Aleatët e akuzuan atë se i dërgoi me forcë në zyrat e tyre kryetarët e komunave, të cilët u rrethuan nga protestuesit serbë me udhëzimeve të qarta.
“SHBA-ja i ka thënë Kurtit – dhe ky është faji i tij – të mos i dërgojë në ndërtesat komunale. Kurti e injoroi këshillën e duhur”, tha Edward Joseph, profesor i politikës së jashtme në Universitetin Johns Hopkins, i cili shërbeu në Ballkan, përfshirë NATO-n, për dhjetë vjet.
Një zyrtar i qeverisë së Prishtinës i tha CNN-it se ata nuk dëshironin t’ua “dorëzonin” protestuesve ndërtesat zyrtare qeveritare. “Kryetarët e komunave hynë në zyrat e tyre… Serbia u bëri thirrje serbëve që të bojkotojnë zgjedhjet”. Tani donin që askush të mos hynte në ato ndërtesa. Por atëherë lind pyetja: nëse kryetarët e bashkive nuk duhet të hyjnë në ndërtesë, kush duhet të hyjë?
Por, ndërsa Kurti mund të ketë ndërmarrë veprime të pakoordinuara, përgjigja ndaj kësaj nuk ishte e pashmangshme. Dhuna më e rëndë nuk ndodhi në ditën kur kryetarët e komunave hynë në zyrat e tyre, por tri ditë më vonë, në qytetin e Zveçanit – kur kryetari nuk ishte as në ndërtesë.
Dhuna ishte ekstreme. Dhjetëra paqeruajtës të NATO-s u plagosën pasi u sulmuan nga serbët etnikë. Disa lëndime ishin të rënda: tre ushtarë hungarezë u qëlluan, njërit iu amputua këmba.
Kurti tha për CNN se këta nuk janë “protestues paqësorë”, por një “milici fashiste” e njohur se vepron në veri të Kosovës, “të paguara nga Beogradi”.
Qeveria serbe nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për koment.
Të tjerët pajtohen me Kurtin.
Kearns tha për CNN se trupat britanike të stacionuara në Kosovë gjetën “një depo armësh që milicia serbe e kishte fshehur në kisha dhe ambulanca në veri të Kosovës. Kemi dëgjuar se ka granata në pragun e shtëpive të njerëzve nëse refuzojnë të mbështesin milicinë serbe”.
Pavarësisht kësaj, pjesa më e madhe e përgjigjeve diplomatike u fokusua në veprimet e Kurtit, për të cilat Kosova pagoi një çmim të rëndë. Që nga zgjedhjet për katër komunat e veriut, Kosova është përjashtuar nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA-në, është përjashtuar nga projektet evropiane të infrastrukturës dhe i nënshtrohet sanksioneve që Aleanca Kosovare e Biznesit thotë se mund t’i kushtojnë ekonomisë së saj 500 milionë euro deri në fund të kësaj periudhe.
Kearns kritikoi përgjigjen “të pabalancuar” të Perëndimit, duke thënë se ajo injoronte shkakun e vërtetë të problemit. “Fillimi i krizës ishte ndërhyrja e jashtme e qeverisë serbe në punët e brendshme të Kosovës, ku serbëve të Kosovës iu tha që të mos dalin në zgjedhjet lokale. Është ndërhyrje e huaj”, tha ajo.
Kurti u përpoq të shtrinte sovranitetin e Kosovës kundër forcave të dyfishta të ndërhyrjes së huaj dhe dhunës së organizuar, për të cilën, sipas Mujanoviqit, SHBA-ja dhe BE-ja u përgjigjën, “Jo. Nuk është e përshtatshme në këto rrethana”.
“Zelensky i Balkanit”
Duke pasur parasysh mbështetjen e Kosovës në përkrahjen perëndimore, disa kanë frikë se mospajtueshmëria e Kurtit po i zemëron aleatët dhe po dobëson vendin e tij. Disa po bëjnë thirrje për një ndryshim të plotë të rrethanave.
“Ai po përpiqet të jetë Zelensky i Ballkanit”, tha për CNN, Shqiprim Arifi, kryetar i rajonit jugor serb të Preshevës. “Ai përdor argumentin e shtetit ligjor në mënyrë retorike dhe populiste. Ai dëshiron të jetë Zelensky i shqiptarëve”.
Lugina serbe e Preshevës përfaqëson anën e kundërt të veriut të Kosovës. Përderisa veriu i Kosovës është i populluar kryesisht nga serbët në një vend me popullsi shumice shqiptare, Lugina e Preshevës është e populluar kryesisht nga shqiptarë në një shtet me shumicë serbe.
Mënyra më e mirë për të përmirësuar situatën, tha Arifi, është që Kurti të bëjë atë që kërkojnë aleatët perëndimorë: të punojë për të krijuar një “Asociacion të Komunave me shumicë Serbe” në veri të Kosovës.
Kurti akuzohet se ka penguar zbatimin e vetëqeverisjes nga komunat serbe, siç thuhet në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet fqinjëve ballkanikë. Sipas marrëveshjes, Serbia mund të krijojë një Asociacion në veri të Kosovës, e cila do të funksiononte në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës dhe policia e Kosovës do të mbetej i vetmi autoritet i zbatimit të ligjit.
Një dekadë më vonë, ky Asociacion nuk u krijua shkaku i mosmarrëveshjeve për shkallën e autonomisë së serbëve të Kosovës.
Por, ka dyshime nëse kjo zgjidhje – që tani po shtyhet fort nga SHBA dhe BE – do të lehtësojë tensionet.
“Më besoni, nuk do të jetë zgjidhja më e mirë”, tha Dushani, një qytetar serb nga komuna e Leposaviqit. “Ndoshta në muajt e parë do të jetë një lehtësim. Ndoshta, “Oh shiko, më në fund morëm diçka.”
Por ky do të ishte një agim i rremë. “Nga aspekti ekonomik, jeta jonë nuk do të përmirësohet, por do të jetë më e keqe”, tha ai, sepse qytetarët do të duhet të fillojnë të paguajnë për shërbimet dhe taksat që aktualisht i mbulon Qeveria e Kosovës. CNN ka fshehur emrin e vërtetë të Dushanit, sepse ka frikë se komentet mund të ndikojnë në jetesën e tij.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se Asociacioni mund të shkaktojë më shumë tensione gjeopolitike.
“Ne nuk e dimë se si do të duket ai Asociacion”, tha Kearns. “Vetë bashkitë lokale do të jenë përgjegjëse për ujin, energjinë elektrike dhe taksat e tyre? Apo do të jetë Republika Srpska e re? Realiteti është se nuk mendoj se dikush dëshiron një Republika Srpska tjetër”.
Republika Srpska, një nga dy entitetet që përbëjnë Bosnjën dhe Hercegovinën, shpalli pavarësinë në 1992 dhe u njoh zyrtarisht pas Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995. Në muajt e fundit, presidenti i saj pro-rus, Milorad Dodik është përpjekur të hapë rrugën për shkëputjen e saj nga Bosnja.
Në qershor, ligjvënësit e Republika Srpska votuan për pezullimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, një masë që ekspertët e përshkruan si “ndarje ligjore” dhe një shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Dejtonit. SHBA e dënoi masën, duke thënë se kërcënonte sovranitetin e Bosnjës.
“Njerëzit në Prishtinë dhe Kurti e kanë bërë shumë, shumë të qartë se shohin një Republika Srpska të re në komunat autonome. Dhe ata nuk shohin zgjidhje për Kosovën në atë model. Ata shohin një version të ri, një gjeneratë të re të krizës për Kosovën, dhe në fund të fundit për rajonin në tërësi”, tha Mujanoviq.
Kali i gabuar?
Gjatë muajve të fundit të tensioneve, SHBA dhe BE kanë përsëritur vazhdimisht angazhimin e tyre në synimin për ta sjellë Vuçiqin në anën e tyre. Por, Serbia veproi ndryshe, duke përfaqësuar atë që Kearns e quan “dështimi i diplomacisë parandaluese”.
Një episod i dëmshëm ndodhi në Ohër, Maqedonia e Veriut, në muajin mars, kur, pas muajsh negociatash të ndërmjetësuara nga SHBA dhe BE, Serbia dhe Kosova më në fund pranuan një marrëveshje dypalëshe që synonte normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Por, ndërsa u paralajmërua si një përparim, Vuçiq u largua nga negociatat pa e nënshkruar dokumentin, duke pretenduar në një fjalim televiziv se ai nuk ishte në gjendje ta bënte këtë: “Kam dhimbje të tmerrshme në dorën time të djathtë … dhimbja pritet të zgjasë katër vjet”.
E dyta erdhi kur autoritetet serbe rrëmbyen tre policë të Kosovës, për të cilët pretendonin se ishin “thellë brenda territorit të Serbisë qendrore” dhe po përgatiteshin të kryenin një “akt terrorist”. Por, Kosova këmbënguli se policët ishin rrëmbyer brenda kufijve të Kosovës dhe se Serbia kreu një “akt agresioni”.
SHBA dhe BE ishin të ngadalta për të reaguar ndaj këtij incidenti. KFOR-i, forca e NATO-s në Kosovë, lëshoi një deklaratë 48 orë pasi policët u raportuan të zhdukur. SHBA lëshoi një deklaratë tre ditë më vonë, duke pretenduar se arrestimet bazoheshin në “akuza të rreme”.
Joseph tha për CNN se rrëfimi serb i ngjarjeve është i vështirë për t’u besuar – dhe se formulimi i deklaratës së SHBA sugjeron që zyrtarët e tyre ndoshta nuk e pranojnë atë. “Nëse SHBA-të do të ishin me të vërtet të sigurta se policia e Kosovës ndodhej në Serbi, atëherë pse të përdoret një term i tillë kategorik (si ‘fals’), i cili cenon fushëveprimin dhe gjykimin e gjykatës serbe?
E megjithatë Serbia nuk u dënua për paraburgimet. Lirimi i policëve u sigurua dy javë më vonë – jo nga aleatët perëndimorë, por nga Viktor Oban.
Pas episodeve të tilla, Joseph i tha CNN se qasja e regjimit të Vuçiqit “s’ka të keqe” mund të ketë filluar të plasaritet.
“Këtu lind pyetja: kush në administratën e Bidenit ende beson se Vuçiq është partner”, tha ai, duke treguar sanksionimin e fundit të Aleksandar Vulinit, drejtorit të shërbimit inteligjent serb, si provë se administrata e Bidenit “nuk është më e bllokuar nga frika dhe iluzionet për Vuçiqin.”
Por nëse kjo përkthehet në një ndryshim në politikë është e paqartë.
Ndërkohë, Vuçiq ngriti rolin e tij. Si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve ndaj Vulin, Vuçiq ndaloi eksportin e armëve nga Serbia për 30 ditë, duke pretenduar se “gjithçka duhet të përgatitet në rast agresioni kundër Republikës së Serbisë”.
“Ai në thelb thotë ‘ne do të hyjmë në konflikt, ne duhet të ndalojmë menjëherë të gjitha eksportet e armëve, sepse ne kemi nevojë për to për sigurinë tonë kombëtare’. Ai po kërcënon fjalë për fjalë me luftë. Unë kurrë nuk e kam parë atë kaq të qartë më parë”, tha Ruge nga ECFR.
E mesazhin e presidentit e kanë pranuar edhe disa qytetarë të Serbisë. Në një ndeshje futbolli të Crvena Zvezdas muajin e kaluar, tifozët nacionalistë serbë mbanin një pankartë ku shkruhej “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Vuçiq mori pjesë në ndeshje, raportojnë mediat lokale.
“Situata është e qartë se kush është ende ngacmuesi në Ballkan”, tha për CNN Meliza Haradinaj, ish-ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës. Koha do të tregojë se ky ‘investim’ për të qetësuar Serbinë do të jetë i kotë.