Analizë: Cilat janë gjasat e Kosovës në Ligën e Kombeve?

Analizë: Cilat janë gjasat e Kosovës në Ligën e Kombeve?

Kombëtarja e Kosovës bëri paraqitje të mira në dy miqësoret të zhvilluara gjatë këtij muaji.

“Dardanët” fituan me rezultat 5-0 ndaj Burkina Fasos, ndeshje në të cilën debutoi trajneri francez Alain Giresse.

Fitorja ndaj Burkina Fasos ngjalli entuziazëm te tifozët kosovar duke i rikthyer në kohë, kur Kosova ishte e pamposhtur në 15 ndeshje. Barazimi me rezultat 1-1 ndaj Zvicrës, kombëtare e cila e eliminoi Francën në Kampionatin Europian.

Kosova ndeshjen e radhës do ta luajë si mysafire ndaj Qipros, më 2 qershor, ndeshje e vlefshme për Ligën e Kombeve. “Dardanët” bëjnë pjesë në Ligën C të Grupit 2 së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe Qipron.

Nga 2 deri më 12 qershor të besuarit e Alain Giresse do t’i luajnë katër ndeshje, ndaj Qipros si mysafirë, Greqisë si vendas dhe mysafir dhe Irlandës Veriore si mysafirë.

CILAT JANË GJASAT E KOSOVËS QË TË TRIUMFOJ NË LIGËN C NË LIGËN E KOMBEVE

Gazeta Enigma ka biseduar me analistët dhe trajnerët e futbollit Ajet Shoshollin, Gani Sejdiun dhe Arben Zeqirin të cilët kanë treguar se si luajti Kosova në dy miqësoret ndaj Burkina Fasos dhe ndaj Zvicrës dhe cilat janë gjasat që të triumfojë në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Trajneri dhe analisti i futbollit, Gani Sejdiu ka thënë se Kosova ndaj Burkina Fasos bëri paraqitje të mirë duke pasur koordinim të plotë gjatë tërë ndeshjes.

“Ndaj Burkina Fasos Kosova bëri vërtetë një paraqitje shumë të mirë duke qenë e motivuar dhe njëkohësisht e disiplinuar. Ekip e cila në asnjë moment nivelin e përformancës nuk e ka ulë gjatë tërë takimit që është shumë me rëndësi, gjithashtu përqendrimi taktik në të dy fazat ka qenë i jashtëzakonshëm. Kjo tregon që fillimi është shumë premtues, jo vetëm në aspektin e motivit, por edhe në aspektin e organizimit në fushë”, analizon trajneri i futbollit, Gani Sejdiu.

Sejdiu thotë se Giresse ka punuar në aspektin taktik me lojtarët e tij para ndeshjes ndaj Burkina Fasos, pasi i kanë zbatuar detyrat e trajnerit francez deri në detajin e fundit.

“Ekipa ishte shumë strikte në fushë duke i zbatuar detyrat duke e mbajtur distancën mes reparteve edhe mes lojtarëve. Kjo tregon që ekipa ka punuar taktikisht. Edhe lojtarët që debutuan lan përshtypje të mirë duke e bërë kombëtaren më të pasur sa i përket numrit të lojtarëve që mund t’i aktivizoj në një ndeshje”, thotë ai.

Trajneri i shumë skuadrave kosovare thotë se Kosova ka treguar ndaj Zvicrës që mund të luajë mirë edhe ndaj kombëtarve të mëdha. Ai thotë se “Dardanët” ishin të barabartë me helvetikët në këtë ndeshje.

“Sa i përket takimit të dytë ishte një ndeshje vllazërore, miqësore u pa edhe brenda fushës. Kjo ka qenë një test për me e pa se çfarë fuqie ka edhe si mund të paraqitet ndaj një niveli krejtësisht tjetër siç është Kombëtarja e Zvicrës. Kosova e ka dhënë provimin në mënyrën më të mirë të duhur, sepse ka qenë kombëtare e barabartë. Përveç posedimit, Zvicra nuk kishte asgjë tjetër më shumë se Kosova”, thotë ai.

Lojtarët që i kanë lënë mbresa Sejdiut në takimin ndaj Zvicrës janë mesfushorët Florian Loshaj, Blendi Idrizi, qendërmbrojtësi Mirlind Kryeziu dhe mbrojtësit e krahut Mërgim Vojvoda dhe Florent Hadërgjonaj.

“Loshaj, Idrizi dhe Kryeziu kanë bërë paraqitje të mirë. Po ashtu, Vojvoda ka bërë paraqitje të mirë duke luajtur në rolin që e luan edhe te Torino. Hadergjonaj më ka pëlqyer shumë, sepse është lojtar që punon shumë në fazën e sulmit dhe i duhet ekipit.  Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e tyre ndaj Zvicrës”, thotë ai.

Sejdiu ka një këshillë për sulmuesin anësor Edon Zhegrova.

“Zhegrova i ka bërë dy paraqitje shumë të mira, nuk diskutohet që është talent shumë i madh dhe do të na shërbej të ardhmen sepse e bën diferencën. Cilësia individuale që e ka në momente të caktuara të mos jetë primare, por ta shfrytëzoj edhe pjesën ekipore, nëse arrinë ta kalojë edhe këtë fazë, ai është lojtar i hatashëm”, thotë Sejdiu.

Për ndeshjet e Ligës së Kombeve, Sejdiu thotë se trajneri Giresse ka kohë që ta komponoj ekipin deri në qershor. Sipas tij Greqia dhe Qipro janë të kalueshme, ndërsa ndaj Irlandës së Veriut duhet më shumë vendosshmëri.

“Ka kapacitet ne e kemi parë që Greqia nuk është kombëtare që nuk tejkalohet edhe pse ka histori. Qipro nuk duhet të diskutohet pasi duhet me e kalu. Ndaj Irlandës së Veriut na duhet qasje serioze edhe me besu në cilësitë që i kemi. Deri në qershor, Giresse ka kohë që ta komponoj ekipin dhe filozofinë e kombëtares tonë”, thotë Sejdiu.

Trajneri i parë i Kosovës në vitet e 90-ta, Ajet Shosholli e konsideron si të suksesshëm debutimin e Giresse në stolin e Kosovës. Ai thotë se në të dy takimet “Dardanët” bën paraqitje të mira.

“Debutimi i Alain Giresse ishte i suksesshëm. Në të dy ndeshjet kombëtarja e jonë kishte paraqitje shumë të mira si me lojë ashtu ehde me rezutlat. Me Burkina Fason shënuam pesë gola me një lojë të rrjedhshme dhe kreative, ku në ekip funksiononte çdo gjë ashtu si duhej, para se gjithash kishte një efikasitet dhe racionalitet në lojën tonë”, thotë Shosholli për Gazetën Enimga.

Përballjen ndaj Zvicrës, Shosholli e konsideron si spektakël në vete. Ai thotë se paraqitja e dinjitetshme e Kosovës ndaj Helvetikëve kishte peshë më të madhe duke marrë parasysh rënditjen e tyre në ranglistën e FIFA-së.

“Ndeshja me Zvicrën ishte një spektakël i vërtet si në tribuna ashtu edhe në fushë. Loja në përgjithësi kishte një dinamikë dhe ritëm të lartë nga të dyja palët. Në bazë të lojës së treguar të dy kombëtaret kanë mund edhe të shënojnë fitores. Zvicra dihet që rënditet në vendin e 14-të në ranglistën e FIFA-së, prandaj kjo paraqitje e Kosovës e ka peshën edhe më të madhe për shkak se jemi përballur me një kombëtare shumë të fortë”, vlerëson trajneri Ajet Shosholli.

Shosholli thotë se në bazë të paraqitjeve ndaj Burkina Fasos dhe Zvicrës, Kosova i jep shpresa reale tifozëve të tyre që ta arrijnë kualifikimin në Ligën e Kombeve.

“Në të dyja ndeshjet u vërtetua se kemi një kontingjent cilësorë  të futbollistëve tanë, në të gjitha repartet si në mbrojtje, mesfushoë dhe sulm. Paraqitja e jonë si ekip në tërësi ishte me një kompaktësi, kreativitet dhe efikasitet e që na jep shrpesë për paraqitje të tilla të kombëtares edhe me rezutlate të mira. Gjasat e Kosovës në Ligën e Kombeve, në bazë të këtyre dy ndeshjeve të zhvilluara na jep shpresa reale që ta arrijmë kualifikimin në këtë grup”, thotë ai i bindur.

Ajet Shosholli

Analisti i futbollit, Arben Zeqiri thotë se te Kosova po vërehet kompaktësi e përgjegjësi e madhe e lojtarëve në dy ndeshjet e fundit.

“Paraqitje të mira dhe me dinjitet nga Kosova, ekipi sulmon dhe mbrohet si tërësi, ka bashkërendim ndërveprues të individëve nëpër reparte. Vërehet kompaktësi e përgjegjësi shumë më e madhe e individëve, reparteve dhe ekipit në tërësi, shfrytëzohet gjerësi dhe thellësia e fushës nga Hadërgjonaj dhe Vojvoda nga krahët që luajnë në të dy fazat e lojës, sulm e mbrojtje”, thotë Arben Zeqiri.

Zeqiri thotë se Kosovës i ka munguar një lojtar si Florent Muslija, pasi ka vizion, fantazi dhe kreativitet në lojë.

Zhegrova po luan si një luan, derisa Muslija me vizionin, fantazinë e kreativitetin e tij është lojtari 10 tipik që na ka munguar ndër vite, një armë shtesë e dalur në sipërfaqe pas ardhjes së Giresse”, vlerëson Zeqiri.

Arben Zeqiri beson se gjasat e Kosovës që të kualifikohet në Ligën e Kombeve janë reale pas dy paraqitjeve ndaj Burkina Fasos dhe Zvicrës.

“Me këto paraqitje gjasat e Kosovës për kampanjën kualifikuese të radhës janë mëse reale, prandaj le të shpresojmë sigurisht për diçka madhore, duke u bazuar në funksionimin e ekipit si tërësi, individëve të rryer që kemi e veçmas me guximin e trimërinë që e kanë disa prej individëve si Zhegrova, Rashica e Rashani. Giresse vendosi autoritetin e tij te ekipi dhe vetëm me këtë qasje mendoj se kemi me pas plotësisht të drejtë me ëndërru dhe me e jetësu ëndrrën së bashku”, thotë Zeqiri.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles