​Anëtarët e PDK-së në KQZ: Është cenuar integriteti i zgjedhjeve

​Anëtarët e PDK-së në KQZ: Është cenuar integriteti i zgjedhjeve

Anëtari i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arianit Elshani, ka deklaruar se ankesa e subjektit të tij do të dorëzohet në PZAP, ndërsa procesi do të vazhdojë edhe në instanca të tjera, varësisht nga vendimi i këtij institucioni.

Ai tha se integriteti i zgjedhjeve në Mitrovicë është cenuar dhe se procesi është i dëmtuar në sytë e qytetarëve.

Sipas tij, ajo që është parë nëpër shkolla gjatë votimit ka lënduar tërësisht procesin zgjedhor.

Ai theksoi se ekipet e numërimit janë larguar dje nga QKN pasi nuk kanë dashur të nënshkruajnë formularët dhe të legjitimojnë një proces për të cilin kanë pasur dyshime.

“Sot ju keni parë një konferencë për media dhe ankesa do të dorëzohet në PZAP dhe do të vazhdohet me procedimin e asaj edhe në organe tjera, varësisht nga vendimi i PZAP-së. Konsiderojmë se në sytë e qytetarëve ky proces është i dëmtuar, pra është cenuar integriteti i zgjedhjeve dhe presim një vendim nga PZAP-ja pas dorëzimit të ankesës. Kjo çka ka ngjarë këtu, çka kemi parë ne nga një klasë në klasën tjetër dhe nga një shkollë në shkollën tjetër e lëndon tërësisht procesin e votimit në komunën e Mitrovicës”, tha ai.

Ai ka komentuar edhe vendimin e prokurorisë që të rinisë rinumërimi. Elshani theksoi se ekipet e numërimit janë larguar dje nga QKN pasi nuk kanë dashur të nënshkruajnë formularët dhe të legjitimojnë një proces për të cilin kanë pasur dyshime.

“Ne zyrtarisht nuk e kemi pranuar atë komunikim dhe në momentin që e pranojmë të gjitha organet e PDK-së do ta shqyrtojnë dhe do të ndërmerren hapat e mëtutjeshëm se a do të marrin pjesë në ekipin e numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit. Ajo çka ne e dimë është që ekipet e numërimit gjatë ditës së djeshme janë larguar nga QKN se nuk kanë dashur të nënshkruajnë në formularin dhe nuk kanë dashur të legjitimojnë një proces për të cilin ata kanë dyshuar dhe secili dyshon në atë që kemi parë përmes video incizimeve”, tha ai.

Procesi i ndërprerë i numërimit në Mitrovicë, nis sot në orën 16:00.

Related Articles