Avokati Arianit Koci ka reaguar lidhur me ndalimin e klientit të tij, Hekuran Nikçi, duke e cilësuar atë si të panevojshëm dhe të pabazuar, raporton Gazeta “Enigma”.
Koci përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka shprehur shqetësimin për mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje, duke thënë se Nikçi po hetohet pa prova konkrete për ndonjë përgjegjësi penale.
Sipas tij, procesi nuk po zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe ligjore, ndërsa e gjithë çështja lidhet me një interpretim juridik të veprimeve në një kontest administrativ.
“Drejtësia duhet të mbetet e pavarur dhe e paanshme, pa u ndikuar nga faktorë politikë apo interesa të tjera. Do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e z. Nikçi dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent,” thuhet në deklaratën e Kocit.
Avokati ka paralajmëruar veprime ligjore për të mbrojtur klientin e tij dhe ka kërkuar një hetim të drejtë dhe të paanshëm për këtë rast. /Gazeta Enigma/