Arrestimi i qytetarëve dhe kidnapimi i policëve kosovarë – “hakmarrje” e Serbisë ndaj arrestimit të Milenkoviqit

Arrestimi i qytetarëve dhe kidnapimi i policëve kosovarë – “hakmarrje” e Serbisë ndaj arrestimit të Milenkoviqit

Arrestimi i tre qytetarëve kosovarë nga policia serbe para disa ditësh, e sot kidnapimi i tre policëve kufitarë kosovarë nga serbët brenda territorit të Kosovës, ka nxitur reagime të shumta, e situata në Veri po tensionohet dita-ditës, shkruan Gazeta “Enigma”.

Lidhur me kidnapimin e policëve kosovarë ka reaguar ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ai kërkoi nga ndërkombëtarët që ta rrisin presionin ndaj Serbisë dhe të ndalin provokimet e saj.

“Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor. Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj”, ka shkruar Sveçla..

Ai tha se Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarët policorë në shkelje të çdo marrëveshjeje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.

Pa asnjë dyshim, sipas tij, zyrtarët policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta.

“Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, ka shtuar ai.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, theksoi se arrestimi i qytetarëve nga Podujeva erdhi si ‘hakmarrje’ nga shteti serb pasi Policia e Kosovës ka arrestuar organizatorin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Milun Milenkoviq – Llune.

“Sipas informatave që kemi pranuar atyre ju është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë nga autoritetet serbe, kurse për motivet e arrestimit të tyre nuk dihet përveçse po dyshojmë se janë hakmarrëse dhe po ndërlidhen me situatën në veri të vendit”, ka shkruar Bulliqi.

Ndërkohë, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, deklaroi se kundërshton kategorikisht këto arrestime e fundit, dhe se kërkon nga Qeveria që të jetë me e zhurmshme dhe më aktive, sepse situata në veri është mjaft shqetësuese.

Sipas saj çdo arrestim në rast se personi nuk ka kryer vepër penale, është i padrejtë.

“Unë nuk mund të komentoj se çka ka thënë kryetari i Podujevës, por që arrestimi i tre kosovarëve në Jarinje është i padrejtë. Çdo arrestim është i padrejtë nëse nuk kanë kryer ndonjë vepër penale. A është hakmarrje apo jo nuk mund ta komentoj, por që kundërshtojmë arrestimet e fundit që po ndodhin”, u shpreh Kadriaj për “Enigmën“.

Deputetja e AAK-së, potencoi se raste të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën, ku shumë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vetëm pse kanë kaluar nëpër shtetin serb janë arrestuar e ka raste që akoma po mbahen në burgje.

“Ka ndodh edhe në të kaluarën, shumë ish-ushtar të UÇK-së, që kanë kaluar nëpër Serbi, janë arrestuar dhe janë dërguar në paraburgim, ka ende që po mbahen në burg, kemi raste ku qytetari ka vdekur në burgjet e Serbisë që nuk dihet asgjë rreth tij, e në këto raste Qeveria e Kosovës duhet të jetë më e zhurmshme dhe më aktive, me i adresu këto probleme sepse është mjaft shqetësuese se çka po ndodh”, përfundoi Kadriaj për “Enigmën“.

Ndërkohë, eksperti i Sigurisë Drizan Shala, theksoi se arrestimet e fundit që kanë ndodhur në kufi me Serbinë, bëjnë të ditur se këta të fundit kanë vëzhguar çdo qytetarë të Republikës së Kosovës, ku kanë mbledhur informacione edhe lidhur me pjesën e UÇK-së.

“Arrestimet e fundit që janë duke u bërë në kufi me Serbinë, Ministria e Brendshme e Serbisë, po jep sinjalin që gjithë qytetarët e Kosovës që për gjatë 23 viteve të fundit kanë lëvizur nëpër territor serb janë nënshtruar një vlerësimi mbi marrjen e informacioneve për secilin qytetar të RKS-së, që ndërlidhen edhe me pjesën e UÇK-së dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë dhe prandaj ne duhet të jemi vigjilent”, theksoi Shala për “Enigmën“.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas kidnapimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës.

Çitaku tha se “ky nuk është vetëm një akt agresioni. Kjo është çmenduri”./GAZETAENIGMA/

Related Articles