Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në koordinim me organet e drejtësisë, kanë arrestuar dy persona në Prishtinë të premten nën dyshimin për përfshirje në veprat penale që lidhen me substanca narkotike dhe falsifikim të parasë.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të dyshuarve, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, përfshirë:
106.7 gramë kërpudha narkotike
186 tableta ekstazi
17 gramë substancë të dyshuar si MDMA
22.1 gramë substancë të dyshuar si kokainë
109.2 gramë substancë të dyshuar si ketaminë
0.7 gramë marihuanë
440 euro të dyshuara si të falsifikuara
Dy peshore elektronike
Rreth 700-800 qese për paketimin e lëndëve narkotike
Personat e arrestuar janë R.R. (viti i lindjes 2002, mashkull kosovar) dhe A.S. (viti i lindjes 2001, mashkull kosovar). Ata dyshohen për përfshirje në veprat penale “blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” si dhe “falsifikim i parasë”.
Pas intervistimit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.