Të premten e 24 janarit, një punëtori në një pompë derivatesh në fshatin Trudë në Prishtinë i ishin grabitur 200 euro, e lidhur me këtë rast, policia sot ka arrestuar dy persona të dyshuar.
Një 34 vjeçar V.I dhe një 33-vjeçar L.B dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rastin e grabitjes, dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
“Sot nga Njësiti i Hetimeve të Drejtorisë së Kryeqytetit, njësia e stacionit Veriu, janë arrestuar dy persona të dyshuar për grabitje. Rasti ka ndodhur me datën 24 janar 2025 në fshatin Trudë, saktësisht në një pompë derivatesh. Puna e hetuesve policor ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e personave. të dyshuar (meshkuj) V.I. 34 vjeç, dhe L.B 33 vjeç, të dy shtetas të Republikës së Kosovës, për të cilët ekziston dyshimi se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në rastin e grabitjes. Personat e dyshuar me vendimin e prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje përderisa hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastin”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas raportit të policisë të datës 24 janar, rasti kishte ndodhur në mëngjes, dhe se grabitja siç kishte raportuar punonjësi ishte bërë nga një person i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës.
“Fsh. Trudë, Prishtinë 24.01.2025-05:42. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se sa ishte në vendin e punë në pompën e derivateve, një person i maskuar nën kërcënim të thikës i ka grabitur rreth 200€. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thuhej në raportin e policisë.