Policia e Kosovës, përkatësisht Policia Kufitare, ka njoftuar se në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, e në veçanti kontrabandës, ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren.
Policia njofton se, më 11.08.2023 rreth orës 03:20 ka reaguar në fshatin Kovaç (Farkëtarët), zona e përgjegjësisë e Stacionit Policor Kufitar-Jasenovik, ku ka arrestuar pesë persona të dyshuar për kontrabandë me mallra dhe sulm ndaj personit zyrtar, ndërsa një person i dyshuar ka arritur t’i shmanget arrestimit dhe është larguar në drejtim të panjohur.
Organet e rendit bëjnë të ditur se për vënë situatën nën kontroll, për të evituar sulmin e mëtejmë dhe për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm ndaj zyrtarëve policorë, janë përdorur armët e zjarrit nga zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast.
Në këtë operacion janë sekuestruar katër vetura të cilat kanë qenë të përfshira në rastin konkret, ku një njërën prej tyre është hasur një sasi e cigareve të cilat dyshohet se ishin duke u kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Serbia.
Rasti është duke u trajtuar nga hetuesit e Drejtorisë Rajonale Veriu, në koordinim me organet tjera kompetente.