Alpinistja Mrika Nikiqi, ka njoftuar se të martën e 27 shtatorit është sulmuar seksualisht nga një person në Pejë.
Ajo në Facebook ka shkruar se veprimi është kryer me paramendim nga personi me inicialet F.B..
“Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht! Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës”, shkruan ajo.
Tutje ajo ka shtuar se aktualisht është në gjendje të rëndë emocionale dhe për rrjedhën e situatës do njoftoj pas vendimit të gjykatës.
“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt. Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji”.
“Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time”, përfundon postimi i saj.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar.
“Më datën 27 rreth orës 19:40 policia është informuar për një rast që ka ndodhur në rrugën “Ëesley Clark” në Pejë. Ka ndodhë rasti i ngacmimit seksual. Policia ka punuar intesivisht për kapjen e autorit, dhe sot është bërë arrestimi i tij. I njëjti me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha Rugova për Enigmen.
Ndërkaq, më herët nga Prokuroria kanë konfirmuar se rasti ka ndodhur me datën 27 shtator.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se pas punës intensive me Policinë e Kosovës, ka identifikuar dhe arrestuar një person (me inicialet F.B) i cili dyshohet se me datën 27 shtator të këtij vitit ka sulmuar seksualisht viktimën femër. Pas identifikimit, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual” nga neni 229, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtoj mundësin e paraqitjes se kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me ketë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Pejës.