Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2022, në afërsi të zonës kufitare në Vërmicë të Prizrenit, raporton Enigma.
I dyshuari, M.A., është arrestuar sot në Rajonin e Pejës dhe është shoqëruar për në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Prizren, ku ka vendosur të mbrohet në heshtje.
Sipas njoftimit, pas një punë operativo-hetimore, është arritur të identifikohet M.A., një mashkull shtetas sirian, i cili dyshohet se më 18 qershor 2022, ka privuar nga jeta shtetasin irakian J. H., 31 vjeçar. Policia e Kosovës e klasifikon këtë rast si “vrasje e rëndë”.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.