Arrestohet i dyshuari për zjarrvënie të autoambulancës në Rahovec

Arrestohet i dyshuari për zjarrvënie të autoambulancës në Rahovec

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për zjarrvënie në autoambulancën e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Ratkoc, në komunën e Rahovecit.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 02:40, Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar informacion për një incident zjarri. Njësitë policore, në bashkëpunim me zjarrfikësit, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se zjarri kishte përfshirë dhe djegur një autoambulancë të QMF-së, duke shkaktuar gjithashtu dëme materiale edhe në objektin e kësaj qendre shëndetësore.

Zjarri është lokalizuar në kohë dhe nuk është raportuar për të lënduar. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Zjarrvënie”.

Pas veprimeve të menjëhershme hetimore dhe sigurimit të provave në vendin e ngjarjes, policia ka identifikuar një person të dyshuar, i cili dyshohet se për motive ende të panjohura i ka vënë flakën autoambulancës.

Më vonë, rreth orës 18:50, falë veprimeve operative të zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Gjakovë, është arrestuar i dyshuari me inicialet H.H., mashkull i moshës madhore.

Gjatë arrestimit, ai ka tentuar t’u ikë zyrtarëve policorë, por është ndaluar pas një ndjekjeje në një zonë malore, në afërsi të pikës kufitare “Qafë Prush”.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rasteve penale dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Related Articles