Arrestohet për drogën milionëshe në Pejë, i dyshuari pranon se ka kultivuar dhe përpunuar atë

Arrestohet për drogën milionëshe në Pejë, i dyshuari pranon se ka kultivuar dhe përpunuar atë

Gjykata Themelore e Pejës i ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji shtetasit shqiptar, të pandehurit Aleks Gerbi, i cili dyshohet për kultivimin e drogës.

Dyshohet për parcelat e mëdha të drogës të cilat janë sekuestruar dje në aksionin e madh anti-drogë të Prokurorisë Themelore të Pejës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në fshatrat Kliçin dhe Sferkë të Pejës.

Vlerë kjo që shkonte në mbi 5 milionë euro.

Në aktvendimin që e ka siguruar Klankosova.tv, thuhet se i pandehuri Gerbi e ka pranuar se “ka qenë vazhdimisht në ato parcela, ka bërë kultivimin e bimëve narkotike dhe përpunimin e tyre”, përcjellë Gazeta Enigma.

Gjatë seancës dëgjimore të Gjykatës, thuhet se Prokurori i Shtetit deklaroi se ekzistimi dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, dhe se këtë e vërtetojnë provat: Fotografitë e vendit të ngjarjes.

Gjithashtu bëhet e ditur se Gerbi ka qenë i dyshuar edhe në të kaluarën për të njëjtën vepër penale.

“Po ashtu, kësaj duhet shtuar edhe faktin se i pandehuri Aleks, referuar data bazës së Policisë së Kosovës, rezulton që edhe më herët të ketë qenë i dyshuar për vepër penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit…, dhe këtë fakt nuk e mohon as ai vet”, thotë vendimi i Gjykatës.

Numri i bimëve të mbjella në parcelat e sekuestruara, thuhet të jetë 2850 sosh, e të cilat thuhet se do të bëheshin gati për shitje.

Për veprën penale për të cilën dyshohet Gerbi, “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej tre deri në pesëmbëdhjetë vjet.

E njëjta dënueshmëri parashihet edhe për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Theksohet po ashtu se “me lënien e tij në liri ekziston rreziku real që ai të arratiset dhe të pengojë rrjedhën normale të procedurës penale”. /Gazeta Enigma

Related Articles