Një zyrtar policor me detyrë në Njësinë Speciale Operative (Divizioni i Njësive Speciale) në Mitrovicë është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje Inspektorati Policor njofton se të njëjtit me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Në kuadër të veprimeve hetimore dhe me autorizim të organeve të drejtësisë, hetuesit e IPK-së kanë kryer edhe bastisje në objektin e banimit në Vushtrri ku jeton i dyshuari.IPK në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e të njëjtit”, kanë njoftuar nga IPK-ja.
Poashtu bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast. /Gazeta Enigma/