Arrestohet polici i dyshuar për aksidentin me pasoja fatale në Prizren

Arrestohet polici i dyshuar për aksidentin me pasoja fatale në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka arrestuar sot pasdite një zyrtar policor, i dyshuar për shkaktimin e aksidentit fatal ku humbi jetën një këmbësor i moshuar në Prizren.

IPK bënë të dituar se të dyshuarit i është caktuar nga Prokuroria masa e ndalimit për 48-orë.

Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se drejtuesi i veturës nuk ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës

“Hetuesit e IPK-së u njoftuan sot në orët e mbrëmjes nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku ku ishte përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën ‘Ismajl Kryeziu’, kur zyrtari duke qarkulluar me veturën private ka goditur këmbësorin, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Në vendngjarje kanë dalë hetuesit e IPK-së, njësitë relevante policore dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prizren. Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se drejtuesi i veturës nuk ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke shkaktuar aksidentin. Për këtë rast është iniciuar procedim penal për veprën penale ‘Rrezikim i trafikut publik’, kurse i dyshuari është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit 48-orësh,” njofton IPK.

Për rastin kanë folur edhe nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se një këmbësor ka mbetur i vdekur pasi është goditur nga një veturë që drejtohej nga nj zyrtar policor në Prizren, rreth orës 18:12.

“Sot rreth orës 18:12, në rrugën “Ismajl Kryeziu” në Prizren, ka ndodhur një aksident trafiku – goditje e këmbësorit, i cili fatkeqësisht ka përfunduar me fatalitet. Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore përkatëse si dhe eprorët policorë. Nga informacionet e para është kuptuar se viktima është një person i gjinisë mashkullore, i moshuar, i cili deri në këtë fazë është ende i paidentifikuar”, tha Bytyqi.

Related Articles