Sot zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Ferizaj, sipas autorizimit nga Prokuroria Themelore Ferizaj, ka arrestuar të dyshuarin B.Xh., viti i lindjes 1967.
I dyshuari, zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Ferizajt, dyshohet se ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile një person-qytetar me inicialet pa qenë i njëjti i regjistruar në librin amzë.
“Me këtë veprim i dyshuari, nuk ka përfillur procedurat ligjore dhe udhëzimet administrative të regjistrimit fillestar të një personi në sistemin elektronik të gjendjes civile. I dyshuari me veprimin e tij, dyshohet se ka konsumuar dy vepra penale: ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe ka falsifikuar dokumentin zyrtar”, njofton policia.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë, në prezencë të avokatit të tij mbrojtës, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.