Kanë arritur në Kosovë edhe 100 mijë doza të vaksinës “Pfizer”, kundër COVID-19. Edhe këto doza kanë ardhur nëpërmjet aleancës së COVAX-it.
Me 100 mijë e 620 dozat e ardhura sot, numri i përgjithshëm i vaksinave që ka marrë Kosova ka shkuar në rreth 170 mijë.
Fillimisht vendi mori rreth 24 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca”, ndërsa më vonë edhe 38 mijë të tjera. Të gjitha nëpërmjet COVAX-it. Pos tyre, vendi ka pranuar edhe 15 mijë doza “Pfizer” nga Bashkimi Evropian.
Në Kosovë janë vaksinuar rreth 60 mijë qytetarë deri tash, ndërkaq sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, paralajmëroi se nga 15 qershori do të nisë vaksinimi masiv.
Në vend është paralajmëruar lehtësimi i masave, pas rënies së rasteve me COVID-19. Janë 2987 raste aktive. Si pasojë e virusit kanë vdekur 2242 persona.