ASK planifikon publikimin e 25 raporteve tematike në qershor, përfshirë 6 për dëmet e luftës

ASK planifikon publikimin e 25 raporteve tematike në qershor, përfshirë 6 për dëmet e luftës

Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka njoftuar se gjatë muajit qershor do të publikojë disa nga 25 raportet tematike të parapara, përfshirë gjashtë raporte që fokusohen në dëmet e luftës.

Këto raporte, të cilat rrjedhin nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2024, ende nuk janë bërë publike, gati gjashtë muaj pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Zyrtarë të ASK-së kanë arsyetuar vonesën me nevojën për përpunimin e sasisë së madhe të të dhënave të mbledhura gjatë regjistrimit. Ylli Shala, menaxher i këtij procesi, shpjegoi se databaza përmban një numër të konsiderueshëm informacionesh që kërkojnë pastrim dhe modifikim.

“ASK-ja është duke punuar intensivisht për të publikuar këto raporte, përfshirë ato për dëmet e luftës, ndërtesat, banesat dhe demografinë,” tha Shala, duke shtuar se publikimi pritet të realizohet deri në fund të qershorit.

Megjithatë, demografi Sami Behrami shprehet kritik ndaj vonesave, duke argumentuar se përdorimi i tabletëve për regjistrim ka lehtësuar procesin e grumbullimit të të dhënave.

“Meqë të dhënat kalojnë menjëherë në platformën digjitale, nuk ka arsye për shtyrje të publikimeve,” tha Behrami, duke theksuar se raportet demografike duhej të ishin publikuar më herët.

Sipas rezultateve të publikuara në dhjetor 2023, Kosova ka 1.6 milionë banorë rezidentë, rreth 150 mijë më pak krahasuar me regjistrimin e vitit 2011. Të dhënat fillestare për dëmet e luftës, të prezantuara nga drejtori i ASK-së, Avni Kastrati, tregojnë se 11,417 persona janë vrarë, 1,047 janë zhdukur me forcë, 6,682 janë plagosur dhe 3,312 janë burgosur. Gjithashtu, 193,765 persona janë deklaruar viktima të krimeve si dhuna, tortura dhe pasojat psikologjike. Dëmet në ekonomitë familjare vlerësohen mbi 5 miliardë euro, me 154,272 familje të prekura, çka përbën më shumë se gjysmën e ekonomive familjare në Kosovë.

Kastrati ka theksuar se shifrat mund të jenë më të larta për shkak të nënraportimit, pasi disa qytetarë të prekur nuk janë rezidentë dhe rrjedhimisht nuk i kanë deklaruar dëmet. ASK-ja është mandatuar të evidentojë dëmet e luftës gjatë regjistrimit të fundit, në mungesë të një databaze shtetërore për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, e cila ka përfunduar para më shumë se dy dekadash./koha.net

Related Articles