Asnjë hulumtim i thellë për dëmin në arsim gjatë pandemisë, ekspertët: Reformat të nevojshme

Asnjë hulumtim i thellë për dëmin në arsim gjatë pandemisë, ekspertët: Reformat të nevojshme

Ekspertët e arsimit thonë se nuk është bërë asnjë hulumtim apo analizë e thellë për të evidentuar më saktësisht humbjet që i ka pësuar procesi arsimor gjatë periudhës së pandemisë, raporton Ekonomia Online.



Në një intervistë për Ekonomia Online, Ismet Potera nga Instituti Pedagogjik i Kosovës thotë se pandemia ka lënë arsimin në një gjendje të rënduar dhe pasojat do të jenë shumë të mëdha.

“Vërtetë pasojat më të mëdha për mendimin tim do të jenë jo vetëm në sasinë dhe cilësinë e njohurive të tyre por do të jenë edhe psiko-sociale për shkak se një fëmijë i klasës së parë është shkëput edhe nga shkolla dhe nga shokët dhe shoqet ku aty ndërtohen ato raportet sociale dhe ndërveprimi midis tyre, e kjo do të jetë diçka e pa kompensueshme por megjithatë institucionet dhe shoqëria në përgjithësi duhet të ndërmarrë hapa konkret se si të kompensohet ose rinovohet në këto humbje të cilat janë shkaktuar sidomos tek fëmijët”, tha ai.

Sa i përket orëve shtesë ai tha se është veprim i duhur dhe pozitiv sado që nuk është pritur mirë nga shkollat dhe mësimdhënësit.

“Mendoj që është veprim i duhur, edhe pse ka rezistencë nga mësimdhënësit dhe shkollat që mos të mbahen, ose sindikata kërkon që të paguhen për mësim shtesë, megjithatë unë mendoj që është më mirë të kompensohet diçka se sa aspak fare. Edhe nëse një shkronjë e mëson një nxënës nga ky mësim plotësues atëherë do të ishte sukses, dhe është diçka pozitive” theksoi tutje Potera.

Sipas tij asnjë hulumtim i deritanishëm nuk është bërë lidhur me humbjet mësimore.

“Tash është në trend botëror edhe studimet që janë duke u bërë lidhur me humbjet mësimore, ne nuk e kemi ende një studim. Unë në institut pedagogjik ku aty punoj jemi tash duke planifikuar ku kemi projektuar disa korniza se çfarë do të studiojmë lidhur me humbjet mësimore, sepse duhet të bëhet diçka që të shpëtohet ajo çfarë është më relevante për nxënësit. Shkollat duhet ta bëjnë një analizë të humbjeve dhe po shpresoj që t’i gjejmë se ku janë rezultatet dhe si do të përmbushet ky boshllëk që ka shkaktuar pandemia”.

Tutje, Potera vë në dukje problematikat kryesore që sistemi arsimor ka hasur në shumë problematika si pasojë e pandemisë, duke përfshirë këtu përdorimin e teknologjisë.

“… kështu që pandemia përveç të tjerash ka sheshuar edhe disa probleme tjera që i ka sistemi jonë arsimor. E para që na ka ra në befasi edhe ka dezorganizuar komplet sistemin arsimor, mirëpo ka vë në shesh edhe disa gjëra të cilat nuk i kemi paraparë ne siç është përdorimi i teknologjisë nga mësimdhënësit që ka qenë një sfidë shumë e madhe”.

“Pastaj e dyta ka qenë edhe  përdorimi i teknologjisë edhe nga prindërit edhe nga fëmijët, por tash është bërë si prioritet mësimi me teknologji. Problemi më i madh është për ato grupe të cilat kanë qenë të cenuara dhe nuk kanë pasur mundësi të qasen në teknologji”, tha Potera për Ekonomia Online.

Po ashtu, edhe Drejtoresha ekzekutive në “Edutask” dhe njëherit eksperte e arsimit, Bardha Qirezi, tha se ndikimi negativ ka qenë i madh sidomos qasja në mësimin online.

“Pandemia ka sfiduar gjithë botën e më së shumti fëmijët të cilët janë ballafaquar me probleme qoftë në shtëpi ashtu edhe në shkolla, dhe kjo ka shkaktuar ndryshime të mëdha se si ata duhet të sillen dhe mënyrën se si do të mësojnë. Në Kosovë po ashtu ka pasur ndikime të mëdha për shkak të orareve të ndryshme si dhe pamundësive të fëmijëve me u qas në mësimin online kur ka pasur ndërprerje ose mbyllje”, tha ajo për Ekonomia Online.

“Ne si problem e shohim kryesisht këtë zbatimin e mësimit online, kur ka pasur ndërprerje për shkak të mungesës së pajisjeve nëpër shtëpi, kjo nuk ka pasur një zbatim të mirë dhe jemi të lumtur që këtë vit akademik do mbahet mësimi fizik, duke ndikuar pozitivisht këtu”, tha Qirezi.

Klasa e parë dhe e dyta janë më të prekurat nga pandemia, thekson Qirezi duke përmendur këtu që gjatë mbylljes këta nxënës kanë mbetur shumë mbrapa në shkrim dhe lexim.

“Klasat një deri në pesë, sidomos klasa e para dhe e dytë. Ne si Edutask kemi pasur përvojë me mësimin plotësues në 20 shkolla në shtatë komuna të Kosovës dhe kemi vërejtur që ata nxënës sidomos të klasës së parë dhe të dytë të cilët kishin mësuar gjatë mbylljes kishin mbetur shumë mbrapa në shkrim dhe lexim dhe në përvetësimin e koncepteve kryesore. Por këtë problem e shohim prapë edhe tash sepse me reduktim të orarit do të ketë prapë vështirësi”.

Reformat në arsim po i sheh si shumë të nevojshme dhe të merren sa më seriozisht që të ndihmohet procesi i arsimit me një angazhim serioz nga të gjithë akterët.

Related Articles