Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nga ora 18:56 e ditës së enjte nuk ka bërë më asnjë përditësim të të dhënave për rezultatin e numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, raporton Gazeta Enigma.
Nga të dhënat aktuale të numërimit të mbi 67 për qind të votave nga përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje prin me 81.97 për qind apo 5.581 vota.
Në vendin e dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 511 vota, apo 7.50 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 6.14 për qind apo 418 vota, pasuar nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 1.50 për qind apo 102 vota.
Më 8 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votim fizik të pjesëtarëve të mërgatës në përfaqësitë diplomatike të shtetit në botë. Votimet u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës. / Gazeta Enigma.