Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se një qeveri serioze si ajo e Kosovës, duhet që me seriozitetin më të madh të marrë vendime rreth problemeve që s’i ka shkaktuar vetë por i ka trashëguar.
Gërvalla tha se qeveria aktuale e Kosovës nuk mund të merret vetëm me tema të lehta dhe sipas saj, qeveria duhet të gjejë zgjidhje, me maturi e guxim edhe për tema të trashëguara.
“Ne duhet të gjejmë zgjidhje, me maturi e guxim edhe për tema që i kemi trashëguar, për të cilat unë i konsiderojë gabime të pa falshme, por një qeveri serioze zgjidh probleme në vend që të ankohet për gabimet e të kaluarës”.
“Prandaj, angazhimi ynë është serioz dhe i sinqertë dhe pres që partnerët tanë ta trajtojnë seriozisht këtë angazhim dhe varësisht nga reagimi i palës tjetër, ne do të shohim se a do të jemi në gjendje ta draftojmë atë dokument. Por deri tani jemi tek zotimi”, tha Gërvalla.
Tutje, ajo foli edhe për draftin e propozuar nga BE-ja dhe ShBA-ja në tetor të vitit të kaluar, për të cilin tha se asnjëherë s’e ka quajtur atë draft të vdekur.
“Asnjëherë s’kam thënë se drafti i propozuar nga BE-ja vitin e fundit është një draft i vdekur. Kur kam folur për një Asociacion të vdekur, kam folur për Asociacionin e vitit 2013”.
“Drafti që ka ardhur nga BE-ja, ka qenë krejt tjetër dokument nga dokumenti i marrëveshjes së vitit 2013 dhe edhe sot mendoj se dokumenti i vitit 2013-2015 është i vdekur dhe i tejkaluar. Vet fakti që nga BE-ja kemi marrë një draft tjetër, tregon se ai i vitit 2013-2015 është i tejkaluar”, tha Gërvalla.
Ndërsa, për sa i përket draftit që është ofruar nga qeveria që të shkruhet, Gërvalla tha se është dokument që ka parasysh nevojat e qytetarëve dhe bazohet në disa nga idetë e paraqitura nga fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung.