Australia befason Turqinë në Vancouver, portieri debutues shkëlqen me tetë pritje

Australia befason Turqinë në Vancouver, portieri debutues shkëlqen me tetë pritje

Australia e ka nisur me këmbën e mbarë Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Turqinë me rezultat 2-0 në ‘Vancouver’ dhe duke shmangur kështu humbjen e pestë radhazi në një ndeshje hapëse të Botërorit.

Ndeshja nisi me raste të pakta shënimi, ndërsa mundësia më e mirë në fillim i takoi Turqisë.

Arda Guler kombinoi bukur me kapitenin Orkun Kokçu, por goditja e tij përfundoi mbi traversë. Më pas, edhe Ferdi Kadioglu nuk ishte i saktë, ndërsa një volej i Gulerit u ndal nga portieri debutues i Australisë, Patrick Beach.

Megjithëse kishin krijuar pak në fazën sulmuese, australianët goditën kundër rrjedhës së lojës në minutën e 29-të.

Paul Okon-Engstler dërgoi një top të gjatë drejt Nestory Irankundas, i cili me një veprim fantastik individual kaloi mbrojtjen turke dhe realizoi me një goditje të ulët përballë Ugurcan Çakir.

Me këtë gol, sulmuesi i Watfordit u bë golashënuesi më i ri i Australisë në historinë e Kupës së Botës.

Turqia tentoi të reagojë para pushimit, por pa sukses, ndërsa Çakır shmangu golin e dytë pas një tjetër përpjekjeje të Irankundas në fundin e pjesës së parë.

Trajneri Vincenzo Montella aktivizoi menjëherë pas pushimit yllin e Juventusit, Kenan Yildiz, në përpjekje për t’i dhënë më shumë gjallëri sulmit të ekipit të tij.

Turqia ushtroi presion në minutat e para të pjesës së dytë dhe iu afrua barazimit kur një goditje e devijuar e İsmail Yuksek ndryshoi drejtim, por përfundoi jashtë shtyllës.

Në anën tjetër, Harry Souttar ishte pranë golit të dytë për Australinë, por goditja e tij me kokë u prit nga Çakir.

Megjithatë, rezistenca turke u thye sërish në minutën e 75-të. Connor Metcalfe avancoi nga mesfusha dhe lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke e dërguar topin në cepin e poshtëm të portës për rezultatin 2-0.

Heroi i mbrëmjes ishte pa dyshim Patrick Beach. Portieri australian, në debutimin e tij zyrtar me kombëtaren, realizoi tetë pritje dhe neutralizoi çdo tentativë të Turqisë, përfshirë edhe një volej nga afërsia të Kerem Akturkoglu.

Falë kësaj fitoreje, Australia merr tre pikë të vlefshme dhe me moral të lartë do të përballet me bashkëorganizatorët e SHBA-së në Seattle të premten.

Ndërkohë, Turqia do të kërkojë reagimin ndaj Paraguait në Santa Clara po atë mbrëmje.

Related Articles