Azemi: Paga në Kosovë as nuk bën të jetosh, por as nuk mund të vdesësh

Azemi: Paga në Kosovë as nuk bën të jetosh, por as nuk mund të vdesësh

Ani pse u miratua në korrik të vitit të kaluar, Ligji për Pagën Minimale nuk ka filluar të zbatohet ende.

Kjo, për shkak që i njëjti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit ende është duke e shqyrtuar.

Nga 130-170, me Ligjin e Ri, paga minimale është rritur në 264 euro bruto.

Por, me këtë rritje përpos opozitës nuk janë pajtuar as sindikatat.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, thotë se me pagë minimale paguhen vetëm punëtorët që merren nga kompanitë për të kryer shërbime për institucione shtetërore.

Sipas tij, këta punëtorë janë të sanksionuar të cilët paguhen me 230, 250 euro ose ndoshta edhe më pak.

Ai thotë se me këto paga as nuk bën të jetosh, por as nuk mund të vdesësh.

“Me këto paga as nuk bën të jetosh, por as nuk mund të vdesësh, pra po them në atë aspektin vetëm sa me mbajtë shpirtin dhe pikërisht kur jemi te paga minimale, siguria dhe shëndeti në punë dhe moskompletimi i ligjeve në aspektin punëdhënës-punëmarrës e ka bërë të veten që realisht ju po e shihni çdo ditë autobusë e aeroplanë që Kosova për çdo ditë po zbrazet dhe fatkeqësisht unë e di që kjo po bëhet çdo kund në botë, por një ikje masive si në Kosovë që po ndodhë nuk po ndodhë askund”, është shprehur Azemi.

Jusuf Azemi: Nuk mbijetohet me pagë 250 euro, edhe sikur të bëhet 600 fuqia punëtore ka ikë

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se me një pagë minimale prej 250 euro nuk mbijetohet.

“Ne edhe sot e kemi një pagë minimale 170 euro, pavarësisht që ka kaluar në Kuvend të Kosovës që paga minimale të bëhet 264 euro bruto, por edhe të ishte në fuqi faktikisht me 250 euro nuk mbijetohet. Ne realisht e kemi humb betejën po se po, por edhe luftën e kemi humb”, është shprehur Azemi.

Ndërsa, tregon për kohën kur kanë kërkuar që paga minimale të bëhet 450 euro, por se nuk janë dëgjuar nga askush.

Pasi, siç thotë kjo kërkesë është menduar se po bëhet për t’i plotësuar apetitet tona.

“Ne kur kemi kërkuar që paga minimale së paku të jetë 450 euro, këta nuk e kanë bërë dhe kanë mëndu që ne po e bëjmë për apetitet tona. Realisht edhe tani edhe nëse e bën 450 euro, edhe 500 edhe 600 njerëzit e kanë ndarë mendjen, fuqia punëtore ka ikë”, ka shtuar.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Po ashtu, ky ligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale.

Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill të vitit të kaluar, janë më shumë se 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale, shkruan Front Online.

Mbi 94% e tyre janë të punësuar në sektorin privat.

Related Articles