Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, i ka kërkuar Prokurorisë që të ndalojë intervenimet e KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë në njehsorë elektrikë.
Ai ka thënë se njehsorët elektrikë, ora e të cilëve nuk përputhet me kohën reale, nuk duhet të ndërrohen deri kur të përfundojë hetimi.
Sipas tij, me ndërrimin e tyre po fshihen provat.
Postimi i tij i plotë:
Mos i prekni njehsorët, mos i fshihni provat!
Prokuroria duhet të ndalojë menjëherë çdo intervenim të KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në njehsorët elektrikë derisa të përfundojë hetimi dhe të mblidhen të gjitha provat.
Ndrrimi i njehsorëve nga shtëpitë dhe banesat, pikërisht në rastet kur ekzistojnë dyshime serioze se kanë matur kohën gabimisht, ngre dyshime të mëdha për fshehje të provave.
Fshehja, largimi apo manipulimi i provave përbën vepër penale.
I bëj thirrje edhe një herë Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë që të ndalin menjëherë KEDS-in dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga çdo veprim që mund të dëmtojë hetimin dhe të pamundësojë zbardhjen e plotë të këtij skandali.
