“Nuk ka qenë profet, por, ka pasur rrezatim profetik, ai i ka bërë njerëzit dhe rrethin për vete me një takim të parë”.
Kështu ka thënë për Gazetën “Enigma”, Adnan Merovci, njeriu që i ka qëndruar afër Rugovës për shumë vite.
“Rugova ka qenë njeri i urtë, por jo i butë, ka qenë njeri me orë të madhe, ka qenë njeri humanist dhe ka patriot i madh”, shtoi ai.
Ai thekson se “nuk ka qenë lehtë të punohet me të, sepse ka pasur dozën dhe komponentin e autoritetit shumë të madh”.
Prandaj, sipas Merovcit, ish-presidenti ka krijuar miqësi të madhe, ka afirmuar dhe e ka dërguar Kosovën në Këshillin e Sigurimit.
“Me kalimin e kohës, ka ardhur situatë pak e padurueshme dhe është rritë mllefi, derisa Rugova e ka paraparë luftën në fillimet e saja”.
Ndërsa, ish lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e cilësoi lart figurën e Rugovës dhe udhëheqjen e tij.
“Presidenti Rugova cilësohet si personalitet shqiptar që i dha vulë fundit të shekullit 20 dhe fillimit të këtij shekulli. I afërt, i qartë në qëndrime dhe i kuptueshëm për popullin e tij dhe për miqtë ndërkombëtarë. Njeri me veti integruese ashtu siç i ka hije një burrështetas të vërtetë”, shtoi Mustafa për Gazetën “Enigma”.
Si u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës?
“Në kohërat pas shkatërrimit të autonomisë së Kosovës me dhunë nga regjimi serb, në përgjithësi kemi pasu organizim të vet shqiptarëve dhe është krijuar pluraliteti dhe erërat demokratike”.
“Në këtë pjesë, është themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe në krye të saj ka ardhur, Ibrahim Rugova, e cila e ka pasur një platformë të vetën komfor kohës”, tha ndër të tjera Merovci.
Merovci potencon se Rugova ishte krijues letrar dhe prej kësaj ka vendosur të shndërrohet në krijues politik. Mirëpo, sipas tij ajo çka shquhet te Rugova me këtë organizim politik është koherenca, veprimet që ai i ka marrë dhe sipas tij, idetë e tij kanë qenë komfor situatës dhe komfor kohës dhe rrethanave.
“Në zgjedhjet e para pas çlirimit, Rugova triumfoi mbi 50 për qind dhe doli si një lider i pa kontestueshëm. Rugova si udhëheqës ka pasur më shumë aspektin e misionarit se sa pragmatizëm që kërkohet me udhëheq pas çlirimit”, tha ai.
Plani politik i Rugovës, sipas Merovcit ka qenë tre pikësh.
“Republikë në kuadër të Jugosllavisë, Të bashkohen të gjithë shqiptarët me një Republikë dhe Bashkimi me Shqipërinë”.
Ai shpjegon se “nëse ruhet Jugosllavia dhe nuk preken as kufijtë e brendshëm, një Republikë e Kosovës, por nëse preken kufijtë e brendshëm, atëherë një Republikë të gjithë shqiptarët bashkë dhe e fundit nëse prekën kufijtë e jashtëm, Kosova me u bashku me Shqipërinë”.
Sipas tij, “ky ka qenë projekti i Rugovës për 10 vite. Por, mënyrën se si ai e ka zgjedhur ka qenë paqësore dhe aktive”.
Dallimi i udhëheqjes së Rugovës me këtë aktualen
Për udhëheqjen e atëhershme të Rugovës me udhëheqjet që e kanë pasur apo zëvendësuar atë, Merovci thotë se është një dallim shumë i madh.
“Ish-presidenti, Ibrahim Rugova, kishte anën e misionarit dhe anën e idesë së tij afatgjate për dallim nga liderët e tjerë që më tepër e kanë shtyrë Kosovën në aspektin pragmatik”, tha Merovci, teksa shtoi se Rugova ka qenë stabil dhe ka pasur vizion të mirë.
“Rugova ka ditur momente të caktuara ku duhet të kërkohet ndihma ndërkombëtare dhe si ruhet marrëdhëniet, gjë që po shihet edhe me udhëheqësen aktuale”, shtoi ai.
Ndërsa, Isa Mustafa thotë “se të tjerët mund të flasin për Rugovën por s’kanë asgjë të përbashkët me të”.
“Njerëzit që grinden me të gjithë që s’kanë kulturë dhe etikë elementare të komunikimit dhe të ofrimit të njerëzve, që prodhojnë kundërshtarë brenda e jashtë është e papranueshme të thirren në Rugovën sepse i hyjnë në hak”, theksoi Mustafa.
Cili ishte amaneti i Rugovës?
Merovci thotë se “Platforma e tij ka qenë “Liri, Pavarësi, Demokraci”.
Për Rugovën kishte rëndësi edhe respektimi i Ligjit, çështja e demokratizimit të brendshëm, ruajtja e miqësisë dhe komunikimit me Bashkësinë Ndërkombëtare, gjë që sipas Merovcit këto do të ishin porosia e tij për udhëheqjet pasuese.
Por, mbi të gjitha sipas Merovcit për Rugovën ishte “miqësia e përhershme” veçmas me Amerikën, duke mos i anashkaluar Evropën edhe vendet e tjera demokratike.
Ai nënvizon se Rugova thoshte “Zotin e kemi në qiell, e në tokë SHBA-në”.
Ndryshe, Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, pas një beteje me kancerin në mushkëri.
Rugova ishte varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
16 vjet më parë, shumë qytetarë patën pritur me orë të tëra për të bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Ibrahim Rugovës, edhe përkundër temperaturave tejet të ulëta që kishin shkuar deri në -15 gradë celsius.
Në varrimin e Ibrahim Rugovës kishin marrë pjesë me dhjetëra burrështetas, nga shtetet më të fuqishme në botë, duke e konsideruar këtë, si lamtumirën më të madhe në rajon. /Gazeta Enigma/.